Të rinjtë bëjnë "namin" në Mokër! Gërmime në zonën e varreve monumentale ilire, reagon policia...

Aktualitet

Të rinjtë bëjnë "namin" në Mokër!

Policia ka kapur në flagrancë 3 të rinj duke hapur gropa në Varret Monumentale Ilire të Selcës së Poshtme në Mokër. Sipas burimeve zyrtare, ata u kapën pak momente më parë nga inspektori i policisë së zonës, i cili ishte njoftuar nga banorë të fshatit se disa të rinj po përdornin detonatorë metalesh për të gërmuar në pjesën anësore të territorit arkeologjik.

Të rinjtë, të cilët janë nga zona e Korçës, po i nënshtrohen veprimeve hetimore në terren dhe më pas do të shoqërohen në komisariat. Njëri nga katër të rinjtë të raportuar nga banorët ka arritur të largohet me motor, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tij.

Ky është rasti i parë që policia kap në flagrancë persona që gërmojnë për të gjetur metale apo objekte arkeologjike me vlerë në varret ilire. Ndërkohë, tre gërmime të tjera të paligjshme janë konstatuar në 2-3 muajt e fundit, por pa autor të identifikuar.

Varret Ilire të Selcës, që i përkasin fundit të shekullit IV para Krishtit, janë unike në Evropë dhe janë shpallur zonë A arkeologjike. Megjithatë, futja e personave që kërkojnë objekte arkeologjike në to është e lehtë, pasi zona nuk është e rrethuar. Me rrugën e re Qukës-Qafë Plloçë që kalon shumë pranë tyre, personat që kërkojnë ar apo objekte arkeologjike kanë edhe më shumë lehtësi për të hyrë në zonë.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe arkeologë për të hartuar procesverbalet e dëmit të shkaktuar në sitin arkeologjik.

ME TE LEXUARAT