“Të gjenden përgjegjësit e sulmit”, KFOR dënon shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepenc

Aktualitet

“Të gjenden përgjegjësit e sulmit”, KFOR dënon

Pas arrestimit të 8 personave si të dyshuar për shpërthimin në kanalin e Ibër – Lepencit ka ardhur edhe reagimi i KFOR-it.

Përmes një komunikate në orët e vona të së shtunës, Misioni i NATO-s në Kosovë ka dënuar fuqishëm sulmin, duke ofruar mbështetje siguri.

“Personeli i KFOR-it ka ofruar siguri në tubacionin e ujit dhe në zonat përreth; për më tepër, KFOR-i ka ofruar mbështetje inxhinierike për institucionet në Kosovë. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse si garantues të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR.

KFOR ka theksuar se është e rëndësishme të sqarohet ngjarja dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënon ashpër sulmin në tubacionin e ujit të Zubin Potokut, i cili pati një ndikim të rëndë në furnizimin me ujë dhe energji elektrike në veri të Kosovës. Është e rëndësishme që të vërtetohen faktet dhe që përgjegjësit të sillen para drejtësisë”, thuhet më tej.

Ndërkohë Ministrja e Ekonomisë së Kosovës , Artane Rizvanolli, ka bërë me dije se furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër – Lepencit është duke u kthyer në normalitet.

 “Uji tashmë është lëshuar për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj. Brenda pak orësh pritet të normalizohet furznimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit”, deklaroi Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe drejtori i zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç.

“Ky incidenti, i cili do të çonte në një lloj fatkeqësie humanitare, është në kundërshtim me interesat e Republikës së Serbisë dhe popullit serb në Kosovë e Metohi, sepse ndër të tjera është dëmtuar edhe kanali në fshatin Varagë. U sjell ujë edhe serbëve që jetojnë në veri të Kosovës dhe Metohisë, prandaj, absolutisht nuk është në interes të Beogradit dhe popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, tha Petar Petkoviç.

Pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e të premtes, forcat ligjzbatuese të Kosovës shtuan praninë në zonën veriore të vendit të banuar në shumicë nga serbët. Ndërkohë mbërritën forca të shumta të KFOR dhe EULEX. Kanali i Ibër-Lepenc koniderohet pikë kritike pasi furnizon me ujë disa qytete të Kosovës përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve. 

ME TE LEXUARAT