SPAK nis ndërtimin e godinës lidhëse me BKH, zbulohet për çfarë do të shërbejnë dhomat e Posaçme dhe sa do të kushtojë investimi!

Struktura e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka nisur punimet për ndërtimin e një konstruksioni lidhës mes godinës së SPAK dhe asaj të BKH, që ndahen nga rruga “Jordan Misja”.
Leja me objekt “Ndërtim dhe rikonstruksion për godinën e re të SPAK” është miratuar më 25 shkurt të këtij viti. Projekti kap vlerën e gati 430 milionë lekëve me TVSH.

Vetë Altin Dumani, kur raportoi në KLP pak kohë më parë, foli mbi godinën në fjalë: “Kushtet nuk i kemi pasur të mira për të ushtruar funksionet hetuese të BKH. Janë 4-5 hetues në një zyrë, çka e vështirëson qoftë edhe marrjen në pyetje të një dëshmitari.
Tashmë godina e re është marrë dhe shpresoj që brenda këtij viti të bëhet funksionale, ku hetuesit do të jenë në kushte më komode për të ushtruar funksionet e tyre.
Në godinën e re janë parashikuar dhoma të veçanta për pyetje dëshmitarësh, duke u regjistruar me audio dhe video. Gjithashtu për të hetuarit dhe të pandehurit ka dhoma të veçanta për pyetje, sepse të gjitha këto na ndihmojnë edhe ne”, u shpreh Dumani.


