Sot 558-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Aktualitet

Sot 558-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti

Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468).

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por gjithashtu edhe një epokë të tërë të historisë kombëtare.

Gjergj Kastrioti, i lindur në vitin 1403, ishte një figurë e shquar e historisë shqiptare, pjesë e familjes fisnike të Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Ai mori edukim dhe stërvitje ushtarake në oborrin osman, ku u dërgua si peng në vitin 1415 dhe përsëri në 1423, një periudhë që i mundësoi atij njohuri të thella ushtarake dhe diplomatike.

Pas kthimit në atdhe, ai u ngrit si udhëheqës i shqiptarëve, duke krijuar një aleancë të gjerë që kundërshtoi avancimin osman në Ballkan. Skënderbeu është një emër i paharrueshëm i historisë kombëtare, i cili përfaqësoi guximin dhe qëndresën e paepur për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet për kohën.

Lufta e shqiptarëve me të në krye shënon një kthesë vendimtare në organizim politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar.

Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ai ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shën Kollit të qytetit të Lezhës, Gjergj Kastrioti mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar.

Me Kuvendin e Lezhës, Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbëror. Ai ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar. Mobilizimi masiv i forcave shqiptare që filloi në Dibër, erdhi duke u zgjeruar deri në një kryengritje të përgjithshme. Brenda muajve të parë u çliruan disa principata dhe pjesa më e madhe e trojeve shqiptare.

Forcat shqiptare me në krye Skënderbeun fituan një sërë betejash kundër ushtrive osmane, si në fushat e Pollogut, të Dibrës, të Ohrit e të Domosdovës, grykat dhe luginat e Shkumbinit, fushat e Ujit të Bardhë, të Livadit pranë Ohrit, të Vajkalit etj.

Pas vitesh lufte e rezistencë ndaj pushtimit osman, duke udhëhequr luftën e shqiptarëve për liri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq në Lezhë.

Gjergj Kastrioti jo vetëm që mbrojti popullin e vendlindjen, por me luftën e tij e pengoi, madje e ndaloi edhe ekspansionin osman drejt Evropës, duke fituar mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë, dhe shumë më tepër pas vdekjes

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion