Skandali me shefen e SHISH ndez revoltën qytetare, në protestën e 115-të kërkohet largimi i Ramës

Protesta qytetare para Kryeministrisë ka vijuar edhe këtë të martë, duke hyrë në ditën e 115-të. Qytetarët dhe aktivistët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku vijuan tubimin dhe fjalimet kundër qeverisë.
Protestuesit hodhën një sërë akuzash ndaj qeverisë dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. “Ju erdhi fundi”, “Shqipëri e re”, “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Revolucion” janë disa nga thirrjet e dëgjuara gjatë protestës.
Në pankartat e mbajtura nga qytetarët kishte mesazhe kundër qeverisë dhe akuzave për korrupsion. Gjatë fjalimeve, një prej protestuesve tha se protesta nuk lidhet me numrin e ditëve, por me kundërshtimin ndaj mënyrës se si, sipas tij, po qeveriset vendi.
“Ne nuk po protestojmë për jetëgjatësi të protestës, por se kemi qeveri që ka thyer rekord Guinness duke bërë vjedhje masive! Këtë e kemi me prova konkrete!”, deklaroi ai.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në nivelet e larta të institucioneve, protestuesi përmendi edhe hetimet ndaj zyrtarëve të ndryshëm, duke akuzuar Edi Ramën se “fshihet pas gishtit dhe thotë përgjegjësia është individuale”.
“Në fakt ka të drejtë, përgjegjësia është individuale dhe ai individ është Edi Rama”, shtoi protestuesi i revoltuar.
Një pjesë e fjalimeve u përqendrua te zhvillimet e fundit lidhur me drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni. Këtë të martë, me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, ndaj Hysenit është caktuar masa “arrest në shtëpi”, e shoqëruar me pezullimin nga detyra, pasi dyshohet se ‘Kryespiunja’ shqiptare furnizonte me informacione sekrete biznesmenin e arrestuar së fundmi, Ergys Agasi.
Duke iu referuar këtij zhvillimi, një prej aktivistëve pretendoi se SHISH është komprometuar dhe kritikoi institucionet më të larta të shtetit për mënyrën se si kanë reaguar.
“SHISH është komprometuar dhe kur një institucion preket nga një rrugaç, imagjino çfarë kanë bërë forcat e huaja që të depërtojnë në këtë institucion!”, deklaroi protestuesi.
Ai kritikoi gjithashtu Presidentin dhe Kuvendin, duke thënë se “SHISH është për të mbrojtur sigurinë kombëtare, por kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, presidenti qesharak i Republikës së Shqipërisë nuk e mbledh Këshillin!”.
Edhe aktivisti Arben Kola e përqendroi fjalën e tij te zhvillimet që lidhen me drejtuesen e SHISH-it, duke kërkuar hetim të mëtejshëm nga SPAK dhe BKH.
“Duhet të inkurajojmë BKH-në dhe SPAK-un që të vijojnë me dorë të hekurt për të arrestuar sa më parë kryespiunen, shërbëtoren e Vuçiçit dhe Ramës, Vlora Hysenin!”, deklaroi Kola.
Ai komentoi edhe thirrjen në SPAK të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duke e cilësuar atë si pjesë të zhvillimeve që, sipas tij, lidhen me hetimet e fundit.
Kola vijoi me akuza ndaj Hysenit, duke thënë: “Vlora Hyseni e kupton këtë fjalë. Ajo u përzgjodh e u dëbua nga detyra në Kosovë sepse i shërbente Vuçiçit, na e fëlliqi emrin e Vlorës! Vlora Hyseni e ka kthyer shërbimin sekret shqiptar në fole të UDB-së!”.


