Sigal Pension rrëfen përmes një dokumentari bilancet e sukseseve të 20-vjetorit

Aktualitet

Sigal Pension rrëfen përmes një dokumentari bilancet e sukseseve

Fondi i Pensioneve SIGAL këtë muaj shënon 20-vjetorin e aktivitetit të tij, 15 vitet e fundit si fond privat pensionesh. Pas hyrjes së SIGAL në vitin 2011, fondet e administruara janë 20-fishuar, me një kurbë kthimi në rritje të vazhdueshme dhe mbi 40 milionë euro asete nën administrim sot. Me këtë rast u publikua edhe një dokumentar i shkurtër 14-minutësh për rrugëtimin dhe zhvillimin e Fondit.

CEO i SIGAL INSURANCE GROUP, Avni Ponari, theksoi se krijimi i fondit ishte një nismë vizionare në një realitet ekonomik të brishtë, kur koncepti i pensioneve private ishte ende pak i njohur. Sipas tij, fondi u ndërtua si instrument kursimi afatgjatë që u jep qytetarëve mundësinë e një pensioni suplementar përkrah atij shtetëror, duke nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të kolonave të tjera të pensioneve për të ardhmen financiare të shqiptarëve. Urimi i CEO-s së SIGAL Insurance Group mbartte edhe vizionin për jetëgjatësinë e projektit të Fondit Sigal: “Ju uroj edhe një herë stafit të Fondit të Pensioneve dhe të gjithë anëtarëve të fondit suksese dhe festofshi, ashtu si në gjithë Evropën, 100-, 200- apo 300-vjetorin e ardhshëm.”

Dëshmia e muzikantit Shkëlqim Arizi në dokumentar sjell një perspektivë personale mbi rëndësinë e kursimit në një fond pensionesh. Ai, si një nga qindra përfituesit e një pensioni të rregullt mujor në Fond, dëshmon se kontributet mujore për pension privat rezultuan një vendim i zgjuar, që sot i siguron pension të dytë dhe më shumë qetësi në moshën e tretë.

Ndërsa këshilltari i përgjithshëm dhe njëherësh një ndër themeluesit e Fondit, Naim Hasa, u ndal te roli sistemik i fondeve private, duke i cilësuar ato një zgjidhje reale për sfidat e sistemit publik dhe për rritjen e mirëqenies në pleqëri. Zëvendësdrejtori i SIGAL Pension, Edmond Koçi, theksoi format praktike të investimit, nga kontributet mujore deri te pagesat e menjëhershme, si dhe fleksibilitetin dhe përfitimet fiskale për individë dhe kompani.

Për të zbuluar më shumë mbi këtë rrugëtim 20-vjeçar suksesesh, ju ftojmë ndjekjen e dokumentarit të shkurtër të përgatitur me këtë rast.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion