Si u kthye shefja e SHISH në ‘shërbëtoren’ e Ergys Agasit, i dërgonte të dhëna sekrete

Vlora Hyseni, shefja e Shërbimit Informativ Shtetëror, do të përballet me masën e sigurisë arrest shtëpie, të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme, dhe të miratuar nga Gjykata, për dy vepra të rënda penale, që janë nxjerrja e sekretit shtetëror, dhe përkrahja e autorit të krimit.
Hyseni, që mban një nga postet më të lartë në hirearkinë e institucioneve shqiptare, që lidhet drejpërsëdrejti me sigurinë kombëtare, duket se është shndërruar në marionetën e Ergys Agasit, i arrestuar më herët në kuadër të dosjes AKSHI.
Hyseni ndodhet jashtë vendit, dhe masa e sigurisë pritet që t’i komunikohet në momentin që ajo do të shkelë në tokën shqiptare, në rast se nuk do të zgjedhë që ti shmanget përballjes me drejtësinë.
Sipas burimeve të SHEKULLI-t, Hyseni akuzohet se i jepte Agasit informacione sekrete shtetërore, me qëllim që ai të realizonte planet e tij, për fitimin e tenderave miliona euroshe, me biznesmenë të lidhur me emrin e tij.
Vlora Hyseni u zgjodh në krye të SHISH në vitin 2023, pas një ekperience të mëparshme në institucionet e inteligjencës në Kosovë, ku në rrethana të paqarta ishte shkarkuar.
Edhe pse opozita e kundërshtoi që në nisje mandatin e saj në krye të SHISH, presidenti Begaj e dekretoi emrin e Hysenit, duke bërë që për 3 vite me radhë në dorën e saj të ishin informacionet më të rëndësishme të shqiptarëve.
Dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, duket se kanë siguruar provat për implikimin e saj, pas zbërthimit të telefonit të Ergys Agasit, i arrestuar në datën 26 Gusht, në zonën e Plepave në Durrës.
Akuzat më të forta për Hysenin janë bërë nga kreu i PD-së Sali Berisha, i cili e akuzonte shefen e SHISH për lidhje të forta edhe me Beogradin, ndërsa sipas tij kishte punuar kundër interesit të Kosovës.
Akuzat e Berishës kulmuan nga foltorja e Kuvendit, ku Berisha paralajmëroi aksionin e sotëm të ndërmarrë nga SPAK.
Kreu i PD do të deklaronte disa muaj më parë, se Hyseni e kishte kishte vënë shërbimin informativ në shërbim të Ergys Agasit, ndërkohë që aksioni i sotëm që çdoi në arrestimin e saj, duket i paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar dhe jo vetëm.


