Shuhet në moshën 86-vjecare regjisori i njohur Piro Milkani

Aktualitet

Shuhet në moshën 86-vjecare regjisori i njohur Piro Milkani

Regjisori i njohur Piro Milkani, ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeç.

Lajmi i hidhur është konfirmuar nga i biri i regjisorit.

Shuhet në moshën 86-vjecare regjisori i njohur Piro Milkani

Milkani është autor i dhjetëra prodhimeve kinematografike shqiptare.

Ai njihet për krijimin e “Zonja nga qyteti”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Ngadhnjim mbi vdekjen”, si dhe “Ballë për ballë”.

Kush ishte Piro Milkani

Piro Milkani lindi më 9 dhjetor 1939 në qytetin e Korçës. Ai kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua në degën e operatorisë filmike. Që prej kthimit të tij në Shqipëri, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kinemasë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Milkani realizoi mbi 20 filma artistikë dhe dokumentarë, duke lënë gjurmë të thella me vepra si "Kur zbardhi një ditë" (1971), "Zonja nga qyteti" (1976), "Ballë për ballë" (1979), "Militanti" (1984) dhe "Ngjyrat e moshës" (1990). Ai kontribuoi jo vetëm si regjisor, por edhe si skenarist, operator dhe producent.

Për kontributin e tij të shquar, në vitin 1987 u nderua me titullin “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1997 mori “Çmimin e Veçantë” për krijimtarinë e tij në Euro-Festivalin e Saint-Étienne në Francë.

Një moment i veçantë në jetën e tij ndodhi në vitin 2024, kur pas 63 vitesh, ai mori diplomën zyrtare nga Fakulteti i Filmit në Pragë, gjatë një ceremonie të mbushur me emocione.

Piro Milkani do të kujtohet si një prej themeluesve dhe përfaqësuesve më të denjë të artit filmik shqiptar, një krijues që i dha shpirt dhe identitet kinemasë shqiptare ndër dekada. 

 

ME TE LEXUARAT