Shtrëngohen rregullat/ Shkollat private nën kontroll më të fortë, kontroll licencave dhe stafeve

Shkollat private do të jenë nën një kontroll më të fortë gjatë vitit të ri shkollor 2026-2027.
Udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit përcakton detyrime të posaçme për funksionimin e institucioneve private, nga verifikimi i kritereve të licencimit te raportimi i të dhënave për nxënësit, mësuesit dhe aktivitetin e shkollës.
Strukturat përgjegjëse të arsimit duhet të bëjnë vlerësimin e kritereve të licensimit dhe të kushteve në të cilat ushtrohet veprimtaria e çdo institucioni privat.
Nga ana tjetër, shkollat duhet të dorëzojnë në fillim të vitit shkollor të dhëna statistikore për numrin e nxënësve, listën e mësuesve, certifikatën e regjistrimit në organin tatimor dhe planin vjetor të institucionit.
Rregulla të veçanta parashikohen edhe për rastet kur një shkollë private ndërpret aktivitetin.
Institucioni duhet të njoftojë strukturat arsimore vendore, Agjencinë e Sigurimitt ë Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Ministrinë e Arsimit dhe Qendrën Kombëtatre të Biznesit, si edhe të dorëzojë dokumentacionin shkollore sipas procedurave të përcaktuara.
Një tjetër pikë lidhet me shkollat private që funksionojnë në gjuhë të huaj dhe lëshojnë diploma të huaja.
Për maturantët që duan të vijojnë studimet në universitetet shqiptare, shkollat duhet të bashkëpunojnë me strukturat përkatëse lidhur me procedurat e njësimit të diplomave.
Ndërkaq, për nxënësit që synojnë të studiojnë jashtë vendit, institucionet duhet të ndjekin kriteret e dhe procedurar e shteteve ku do të aplikojnë. Udhëzimi synon që kontrolli mbi arsimin privat të mos kufizohet vetëm te momenti i licencimit, por të shtrihet edhe gjatë funksionimit të institucioneve, raportimit të aktivitetit dhe mënyrës se si trajtohet dokumentacioni në rast mbylljeje.


