Shtohen “trimat” në familje, keqtrajtimi i familjarëve ndër 3 veprat penale më të shpeshta në vendin tonë

Sipas të dhënave të INSTAT, për një periudhë prej tri vitesh del në pah fenomeni në rritje i dhunës brenda familjes shqiptare
Në krye të listës së veprave penale të analizuara në vitin 2024, shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor zënë peshën më të madhe në totalin e veprave me 16,5 %, ndjekur nga veprat penale në fushën e drogës me 8,9 % dhe vendin e tretë e zë dhuna në familje 6,6 %.
265 burra më shumë u treguan muskujt grave në 2024 me një total të rasteve me 2139, krahasuar me vitin paraardhës.
Gjatë këtyre tre viteve, meshkujt përbëjnë rreth 94–95% të të dënuarve çdo vit dhe janë të përfshirë pothuajse në të gjitha kategoritë e veprave penale.
Ndërkohë, femrat përbëjnë afërsisht vetëm 5% të autorëve të dënuar dhe kryesisht janë të përfshira në vepra penale si dhuna në familje, mashtrimi dhe abuzimi me detyrën, ndërtimi i paligjshëm dhe shfrytëzimi i prostitucionit.
Nëse në vitin 2023 diferenca e rasteve të dhunës në familje me vitin 2022 ishte 24, për vitin 2024 diferenca me një vit më parë ishte edhe më e lartë me 228 raste më shumë. Gjithashtu ndëshkimi ka pësuar një nivel në rritje ku edhe numri i personave që kanë përfunduar pas hekurave është rritur.
Ajo që nxjerrin në pah këto statistika është edhe përfshirja e të miturve, në disa vepra penale të vitit 2024 ku nga 1447 raste gjithsej 7,8 % i përkasin dhunës në familje. Raste që kanë ardhur në ulje nga viti në vit, por përfshirje e lartë e të miturve krahasuar me të gjitha veprat penale brenda një viti, me një dominancë të madhe të vajzave.


