Makinat nga Kina e Korea mbushin tregun shqiptar, për 8 muaj plot 66.5 mijë blerje

Aktualitet

Makinat nga Kina e Korea mbushin tregun shqiptar, për 8 muaj plot 66.5
Numri i mjeteve që qarkullojnë në vend sa vjen e po shtohet, ndonëse ritmet e rritjes po ngadalësohen në krahasim me dy vitet e mëparshme, kur u shënua një ecuri e fortë e nxitur nga orientimi i importeve drejt vendeve aziatike.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, për periudhën janar-gusht kanë hyrë në qarkullim për herë të parë 66.5 mijë automjete, pothuajse në të njëjtin nivele me 8-mujorin e një viti më parë.

Vetëm në gusht u regjistruan gati 8.1 mijë mjete. Në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, në vend u regjistruan për herë të parë 10% më pak mjete.

Importet e mjeteve u ngadalësuan pas marsit, si rrjedhojë e vështirësive me transportin që u shfaqën pas konfliktit në ngushticën e Hormuzit, që rriti koston e automjeteve që vijnë nga Azia, ndonëse ato nuk kalonin direkt nga kjo ngushticë.

Koreja e Jugut dhe Kina dominojnë

Koreja e Jugut dhe Kina vijojnë të jenë tregjet kryesore nga ku shqiptarët po preferojnë të marrin automjetet dy vitet e fundit.

Për 8-mujorin, rreth 17.5 mijë mjete, ose rreth 26% e regjistrimeve për herë të parë, e kishin origjinën nga Koreja e Jugut. Tre vitet e fundit, Koreja e Jugut po dominon, për shkak të çmimeve më të lira të blerjes nga shteti i largët.

Kina po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e interesi për makina elektrike. Rreth 16% e mjeteve që u regjistruan për herë të parë në janar-gusht, ose 10.6 mijë mjete, kishin origjinën nga Kina.

Gjermania dhe Italia, dy shtetet e dikurshme dominuese, kanë kaluar në vend të tretë dhe të katërt, përkatësisht me 7.9 dhe 7.7 mijë mjete për 8 mujorin.

10.6% e mjeteve të importuara janë elektrike, rritet BYD

Pas një rritjeje rekord në mars dhe prill, duket se ka rënë disi interesi për mjetet elektrike. Në gusht, u regjistruan për herë të parë 681 të tilla, nga 682 në korrik niveli më i ulët i këtij viti.

Gjithsesi, për 8-mujorin janë regjistruar gjithsej 7,087 mjete elektrike, ose 2.5 herë më shumë se e njëjta periudhë e 2025-s.

Mjetet elektrike përbënin 10.6% të regjistrimeve të mjeteve për herë të parë për periudhën janar-gusht.

Sipas llojit të markave, Volkswagen dhe Mercedes-Benz vijojnë të mbeten dy markat historikisht më të preferuara nga blerësit shqiptarë, me përkatësisht 16.5% dhe 14.7% të regjistrimeve në periudhën janar-gusht 2026.

Ndërkohë, spikat ngjitja e shpejtë e BYD, e cila ka arritur në 7.0% të totalit, duke reflektuar interesin në rritje për makinat elektrike dhe forcimin e pranisë së prodhuesve kinezë në treg.

Në total, numri i mjeteve që qarkullojnë në vend arriti në rreth 1.1 milionë në fund të gushtit./Monitor/

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion