‘Shqipëria, jo vend i sigurt’ / 40 organizata letër autoriteteve të Britanisë së Madhe

Pak ditë pasi parlamenti britanik konfirmoi vlerësimin se Shqipëria është një vend i sigurt dhe kërkesat për azil që bëhen nga shtetasit shqiptarë duhet që përgjithësisht të refuzohen, një grup prej 40 organizatash bëjnë thirre për të kundërtën.
Përmes një letre të hapur dërguar autoriteteve të Britanisë së Madhe, organizatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut kërkojnë që Shqipëria të hiqet nga lista e vendeve të sigurta të origjinës.
‘Në këndvështrimin tonë, përfshirja e Shqipërisë në listën e vendeve të sigurta është e gabuar. Shqipëria nuk u përafrohet standardeve të BE-së dhe as standardeve minimale për t’u klasifikuar si vend i sigurt”, thuhet në letrën e organizatave.
Sipas tyre, Shqipëria nuk përmbush kriterin e mos presekutimit të qytetarëve të vet, vuan nga korrupsioni, trafiku njerëzor, dhuna e lidhur me bandat kriminale dhe diskriminimi ndaj komuniteteve të ndryshme, përfshirë LGBT apo romët.
Organizatat thonë se shifrat e pranimit të kërkesave për azil deri më tani në Britaninë e Madhe konfirmojnë se Shqipëria nuk përmbush standardet minimale për t’u kategorizua si një vend i sigurt.
Letra është firmosur nga organizata e institucione me peshë në Britaninë e Madhe, si Universiteti i Liverpulit, organizata ‘Article 39’, Ecpat UK e të tjera.

