Shkrumbohet banesa në Fier, pronarja ndodhet në gjendje të rëndë, detaje si ndodhi ngjarja

Një banesë është shkrumbuar thuajse plotësisht nga flakët në lagjen “Sheq i Madh” në Fier.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, kur banorët kanë konstatuar zjarrin dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe, pas ndërhyrjes, kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në banesat e tjera, të cilat ndodheshin shumë pranë shtëpisë që u përfshi nga flakët.
Gjatë përpjekjeve për të shpëtuar banesën dhe për të shuar zjarrin, pronarja e shtëpisë ka pësuar djegie të rënda. Ajo është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit dhe, për shkak të gjendjes së saj, pritet të dërgohet drejt Tiranës për mjekim të specializuar.
Ndërkohë, familja prej katër anëtarësh ka mbetur tashmë pa strehë, pasi banesa është dëmtuar rëndë nga zjarri.
Familjarët, të cilët jetojnë në kushte të vështira ekonomike, kërkojnë ndihmën e institucioneve dhe të çdo personi që mund t’u vijë në ndihmë, për të përballuar këtë situatë të rëndë dhe për të siguruar një strehë.
Ndërkohë, po punohet për të përcaktuar shkaqet që çuan në rënien e zjarrit.


