Shkaktoi aksidentin e 5-fishtë në Vlorë, arrestohet shoferi i ML-së!
Është arrestuar 34-vjeçari në Vlorë i cili me mjetin e tij ML aksidetoi 5 automjete të tjera, ku mes të plagosurve ishim dhe efektivë. Në përpjekje për t’iu shmangur ndalimit, mjeti ka përplasur disa automjete, përfshirë edhe një mjet të Policisë së Burgjeve, të cilin e ka nxjerrë nga rruga.
"Në vijim të veprimeve hetimore për dy ngjarjet e ndodhura në Vlorë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për shtetasit e përfshirë, konkretisht:
• U bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. Ll., 34 vjeç, i cili mbrëmjen e djeshme drejtoi automjetin në gjendje të dehur, përplasi disa mjete dhe tentoi t’i largohej Policisë duke rrezikuar jetën e efektivëve. Gjatë hetimeve rezultoi se, përpara se të largohej me automjet, ai kishte dëmtuar edhe ekspozitorin e një lokali në lagjen “1 Maji”.
Pas shoqërimit të tij në Komisariatin e Policisë Vlorë, u krye arrestimi për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme", njofton policia.