Sherri për guroren në Krujë, policia njoftim zyrtar: Të lënduarit ndodhen në spital, konflikti nisi…

Policia e Krujës ka reaguar lidhur me sherrin e ndodhur mes fiseve Maja dhe Rraja për gurorën, ku dy persona mbetën të plagosur.
Në njoftimin zyrtar sqarohet se lidhur me këtë ngjarje janë shoqëruar Xh. Rr., dhe P. Rr. Gjithashtu bëhet me dije se konflikti ka ndodhur në një lokal.
Jashar Maja së bashku me disa të afërm të tij po konsumonin kafe në një bar pranë autostradës, kur rreth orës 11:00 disa anëtarë të fisit Rraja kanë mbërritur në të njëjtin vend. Këta të fundit kanë dhunuar anëtarë të fisit Maja me tytën e armëve dhe me sende të tjera duke bërë që Jashar Maja dhe Bilbil Maja të përfundojnë në spital.
Sakaq grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë një informacion të plotë.
NJOFTIMI:
Ditën e sotme, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë – Thumanë ka ndodhur një konflikt mes shtetasve B. M., e J. M., dhe shtetasve Xh. Rr., I. Rr., dhe K. Rr.
Gjatë konfliktit shtetasit Xh. Rr., I., Rr., dhe K. Rr., dyshohet se kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M. dhe J. M., të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimin e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë shoqëruar shtetasit Xh. Rr., dhe P. Rr., si dhe po punojnë për shoqërimin e shtetasve I. Rr., dhe K. Rr., të përfshirë në këtë konflikt.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë një informacion të plotë.


