Sherr në Kakome – Zbardhet identiteti i 46-vjeçarit të plagosur, dërgohet me urgjencë në Janinë (Emri)

Është zbardhur identiteti i 46-vjeçarit që mbeti i plagosur pas një përleshjeje të ndodhur në zonën e Kakomesë.
Bëhet fjalë për Gentjan Papagjikën, banor i Sarandës, i cili dyshohet se është dhunuar nga një grup të rinjsh, pas një konflikti të nisur për filmimin me telefon të zonës së plazhit.
Sipas informacioneve paraprake, 46-vjeçari është goditur me grushte, duke pësuar një frakturë në kockën rreth syrit.
Fillimisht Papagjika është transportuar në Sarandë për të marrë ndihmën mjekësore, por për shkak të dëmtimit është nisur më pas drejt Janinës, ku do t’i nënshtrohet një trajtimi më të specializuar.
Ndërkohë, Policia ka vijuar hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Personat e dyshuar për përfshirjen në dhunimin e 46-vjeçarit raportohet se janë identifikuar dhe po verifikohen rrethanat e konfliktit.


