Rrugorët nuk "kursehen" në Dibër/ Ndëshkohen 1.760 shoferë, alkool dhe parakalime të rrezikshme

Policia rrugore e Dibrës ka bërë bilancin për periudhën 17-30 gusht.
Gjatë këtij harku kohor bëhet me dije se janë konstatuar 1760 shkeljeve të ndryshme të Kodit Rrugor, përfshirë parakalime të gabuara, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, përdorim i celularit gjatë drejtimit të automjetit etj.
Në njoftimin zyrtar Rrugorja thekson se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut Dibër, ndërsa qytetarët këshillohen që të zbatojnë rregullat e qarkullimit.
Njoftimi i plotë
Vijojnë kontrollet intensive me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset rrugore të qarkut, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe ngjarjeve rrugore me pasoja, si dhe menaxhimin e trafikut, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror.
Monitorimi i vazhdueshëm ka në fokus evidentimin dhe parandalimin e shkeljeve që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e përdoruesve të rrugës, veçanërisht drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit, drejtimin pa leje drejtimi, parakalimet e gabuara, mospërdorimin e rripit të sigurimit dhe kaskës mbrojtëse, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, si dhe qarkullimin me xhama të errësuar të pahomologuar.
Monitorimi i kryer gjatë periudhës 17–30 gusht 2026 ka sjellë evidentimin e 1760 shkeljeve të ndryshme të Kodit Rrugor, ndaj të cilave janë marrë masat administrative përkatëse, konkretisht:
364 masa për parakalime të gabuara;
769 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar;
174 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
149 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit gjatë drejtimit të automjetit;
12 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
23 masa për xhama të errësuar të pahomologuar;
15 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit;
254 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut Dibër, me përdorimin e mjeteve bashkëkohore logjistike, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Policia Rrugore e Dibrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë, në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.


