Rritet në treg çmimi i miellit, shtrenjtohet edhe buka me 10%! Qytetarët : 20 lekë më shumë!

TIRANË- Në Shqipëri është rritur cmimi i bukës dhe prej ditësh furrat po shesin me cmim deri në 10% më të lartë.
“Gazetarja: A është rritur çmimi i bukës këtu tek ju?
Furra Bukës: Është rritur çmimi i bukës me 10 lekë, sepse është rritur edhe çmimi i miellit”.
Qytetarët po e blejnë bukën me 10 deri në 20 lekë më shumë se javën e kaluar, duke shkuar deri në 90 lekë një bukë, në varësi edhe të peshës dhe llojit të bukës.
“Është shtrenjtuar edhe buka deri në 20 lekë. me thënë të drejtën unë blej miell dhe ai ishte shtrenjtuar. Unë 25 kilogram një thes e merrja 1300 lekë tani e marr 1400 lekë.
Po është shtrenjtuar me 10 lekë.
Është rritur çmimi i bukës me 10 lekë, nga 60 lekë ka shkuar në 70 lekë”, shprehen disa qytetarë.
Por çfarë po ndodh me këtë treg?
Shoqata e Prodhuesve të Bukës thonë se rritja e cmimit të bukës është reflektuar si pasojë e shtrenjtimit të miellit në treg, dhe i produkteve të tjera, si vaj apo margarina.
“Po është shtrenjtuar mielli, me 4-5 lekë për kilogram”, pohon një shitës në një pikë shumice mielli në Tiranë.
Por duket se xhepat e shqiptarëve do të rëndohen edhe më shumë. Adi Haxhiymeri, nga Shoqata e industrisë së përpunimit të miellit thotë se rritje e çmimit do të vijojë edhe në javët në vijim dhe mund të arrij deri në 20%. Sipas Haxhiymerit shtrenjtimi i miellit ka ardhur si pasojë e luhatjeve në bursën ndërkombëtare, pasi është ulur prodhimi i grurit me 20 milionë ton më pak, nga të cilat 15 milionë ton më pak i ka Rusia nga ku edhe furnizohemi. 1 ton grurë është shtrenjtuar me të paktën 130 dollar, nga 220 dollar që ishte në muajin tetor, duke shkuar në vlerat 350-360 dollarë për ton.
Ulja e prodhimit të grurit ka ardhur si pasojë e thatësirës dhe përmbytjeve që ndodhën në disa vende të Evropës thotë ndër të tjera përfaqësuesi i një prej kompanive të miellit në treg.
Përpos miellit dhe çmimit të bukës, operatorët e tregut paralajmërojnë një rritje të shpejtë të çmimit të makaronave.
Duke qenë se ka mungesë në bursën ndërkombëtare, Haxhiymeri pohon se çmimi i grurit të fortë ‘durum’ që është lënda e parë për makaronat është rritur me 100%. Një shtrenjtim i tillë sipas tij nuk kishte ndodhur kurrë më parë, por në një situatë të tillë ku fuqitë botërore kanë ulur prodhimin shtrenjtimi i produkteve është i pashmangshëm.

