Rritet interesi për degët e teknologjisë, dyfishohen regjistrimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës

Aktualitet

Rritet interesi për degët e teknologjisë, dyfishohen regjistrimet

Mes dhjetë preferencave të renditura në U-Albania, maturantja Xhoi Veliaj zgjodhi një prej programeve që lidhen drejtpërdrejt me teknologjinë. “Data Science dhe Inxhinieri Informatike”, thotë se iu përshtat më shumë, pasi u njoh me mundësitë në tregun e punës.

“Kam zgjedhur Data Science dhe Inxhinieri Informatike. Mendoj se është një mundësi shumë e mirë, pasi tregu i punës po orientohet drejt inteligjencës artificiale. Mendoj se ka shumë mundësi edhe brenda Shqipërisë, por edhe jashtë. Nëse më ecën në Shqipëri, nuk kam dëshirë të largohem”, tha Xhoi Veliaj, maturante.

Në fazën e deritanishme të regjistrimeve, Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka shënuar një rritje të interesit, me rreth dyfishin e regjistrimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Në këtë fazë kemi rreth dyfishin e regjistrimeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, madje edhe pak më shumë se në vitet e tjera. Ajo që vlen të theksohet është edhe cilësia e maturantëve që kanë zgjedhur programet tona. Bëhet fjalë për maturantë me rezultate shumë të mira”, tha Eglantina Kalluçi, dekane e FSHN-së.

Më shumë regjistrime kanë numëruar edhe degët prioritare.

“Kjo tendencë vihet re në të gjitha programet, duke nisur nga degët prioritare si Matematika, Biologjia, Kimia dhe Fizika, por edhe në programet më të kërkuara aktualisht, si Informatika, Data Science, Teknologjia e Informacionit dhe Bioteknologjia”, shtoi Kalluçi.

Paralelisht, fakulteti ka sjellë bashkëpunimin me bizneset, për t’i lidhur studentët me tregun e punës që gjatë studimeve,  ndërsa për këtë vit të ri akademik, bashkëpunimi është zgjeruar.

“Vitin e kaluar kishim vetëm një program që mbështetej nga industria, ndërsa këtë vit kemi dy apo tre programe të tilla. Për shembull, Inxhinieria Kimike, Inxhinieria dhe Kimia e Ushqimeve, si edhe Kimia Farmaceutike. Janë programe studimi që lidhen drejtpërdrejt me industrinë dhe tashmë vihet re edhe një orientim më i madh i maturantëve drejt këtyre profileve”, tha ajo.

Sipas dekanes Kalluçi, përditësimi i kurrikulave, mundësitë e shkëmbimeve jashtë vendit dhe lidhja më e fortë me punësimin kanë ndikuar në ndryshimin e trendit, duke rikthyer interesin e maturantëve edhe te degët prioritare.

ME TE LEXUARAT