Rrezikuan të mbyteshin në det, Policia Kufitare shpëton familjen me 3 fëmijë pranë Jalës

Aktualitet

Rrezikuan të mbyteshin në det, Policia Kufitare shpëton familjen

Policia Kufitare ndihmon 5 shtetas (pjesëtarë të një familjeje) që rrezikuan të mbyteshin në det, pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt gjatë natës, për shkak të motit të keq.

Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, Policia u njoftua se disa shtetas në një mjet lundrues në afërsi të plazhit të Jalës, kishin nevojë për ndihmë, pasi mjeti i tyre lundrues kishte pësuar defekt për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

Menjëherë u angazhuan shërbimet e Policisë Kufitare, me mjetin e tyre lundrues, të cilët pas kërkimeve në det, bënë të mundur lokalizimin e mjetit lundrues në bordin e të cilit ndodheshin 5 shtetas (një çift bashkëshortësh dhe 3 fëmijët e tyre).

5 shtetasit u transportuan me mjetin e Policisë Kufitare, drejt PKK Himarë, në gjendje të mirë shëndetësore.

Ata falënderuan punonjësit e Policisë që iu shkuan në ndihmë, duke vepruar në një kohë të shpejtë dhe me profesionalizëm.

Policia Kufitare vijon të jetë maksimalisht e angazhuar për garantimin e sigurisë së jetës së pushuesve/vizitorëve dhe apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e pajisjeve të sigurisë dhe shmangien e lundrimit në kushte të rrezikshme atmosferike.

ME TE LEXUARAT