Nga telefonatat në burg tek sherri për drogën/ Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, dëshmon për GJKKO vëllai i tij

Aktualitet

Nga telefonatat në burg tek sherri për drogën/ Rrëmbimi dhe

Dëshmon për herë të parë në GJKKO vëllai i Jan Prengës, Ndrek Prenga. Jan Prenga u rrëmbye dhe u vra në 17 janar 2020 në Kamëz, por trupi i tij akoma nuk është gjetur.

Jan Prenga u mor peng më 17 janar 2020 në zonën e Kamzës. Ai u dërgua në resortin e Altin Hajrit në Shijak, ku u torturua dhe zhvesh. Dyshohet se gjatë dhunës, Prenga u mbeti në dorë pengmarrësve, që vendosën të zhdukin trupin. Edhe pas kërkimeve në zonën e Shijakut, trupi i tij ende nuk është gjetur.

“Pas këtij mesazhi iu përgjigja se nuk isha në dijeni se për çfarë bëhet fjalë. Mora në telefon Astritin, por edhe ai më tha se nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur. Pas një apo dy ditësh jam njoftuar nga nusja që Jani është marrë peng dhe se pas kësaj jam përpjekur të marr vesh se çfarë ka ndodhur”, ka dëshmuar më tej Ndrek Prenga.

Pas pak ditësh ai është vënë në dijeni se bëhet fjalë për një sasi prej 260 kg kokainë që ishin marrë në port, dhe gjatë komunikimeve që Ndrek Prenga kishte me Gentianin, ky i fundit i thotë që të dorëzojë atë “gjënë” duke iu referuar sasisë së kokainës me qëllim për të liruar pengun.

Prenga thotë se xhaxhai i tij dhe një person tjetër kanë shkuar në Shkodër për të takuar familjarët e Gentian Docit ku atje kanë gjetur babain e tij.

Ky i fundit i është përgjigjur se nuk ka dijeni dhe përgjegjësi se çfarë bën djali i tij. Prenga shton se pas ndërprerjes së mesazheve me Gentianin për të cilën fliste edhe me kamerë, një tjetër numër i ka shkruar duke iu prezantuar si Gramoz ku edhe ai pretendonte se kokaina e marrë nga Astrit Prenga është e tij.

Sipas dëshmisë së gjatë të Prengës, pasi policia ka ndërhyrë në kompleksin Golden në Shijak, nga ai moment ai ka ndërprerë komunikimet me të gjithë personat që kishte folur. Që nga mosha 13 vjeç, thotë dëshmitari, ai është larguar nga Shqipëria dhe është shpërngulur në Britani.

49-vjeçari ishte babai i 5 fëmijëve dhe ka 4 vëllëzër, njëri prej të cilëve është bërë shkak edhe për pengmarrjen e tij. Vëlali i Janit, Astrit Prenga i bllokoi një dërgesë kokaine një tjetër shqiptari, Dritan Rexhepaj i cili ndodhet në burg në Ekuador.

Ky i fundit pasi Astrit Prenga i bllokoi 300 kg kokainë urdhëroi në Shqipëri që të merrej peng vëllai i tij i madh në formë presioni për të liruar ngarkesën por gjatë pengmarrjes Jan Prenga ndërroi jetë.

Për ngjarjen deri më sot janë arrestuar Bajram Hajri, Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton hajri, Festim Bixhdili dhe Ardian Doçaj.

Dje mësohet se u shoqërua forcërisht nga policia edhe pajtuesi i gjaqeve, i cili ndërhyu për të shpëtuar Jan Prengën pas rrëmbimit në janar të këtij viti. Nikollë Shullanit i janë çuar 2 fletë thirrje për të dëshmuar në SPAK por nuk i është përgjigjur kurse herën e tretë Prokuroria kërkoi ndihmën e Policisë. Po ashtu edhe djali i Nikollë Shullanit, Gëzim Shullani është i përfshirë në këtë ngjarje, por në një intervistë kohë më parë për ‘Neës24’ ka thënë për të birin se nuk ka lidhje me trafikun e drogës në Angli por është përshirë për të shpëtuar Jan Prengën.

 

 

 

ME TE LEXUARAT