Rishfaqet ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, duke bërë shqiponjën

Aktualitet

Rishfaqet ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, duke bërë shqiponjën

Pas disa vitesh mungesë në jetën publike për shkak të arratisjes dhe procesit gjyqësor ndaj tij në Shqipëri, është shfaqur ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Ish-kryeprokurori ka zhvilluar një takim me Adriatik Alimadhin, kryetarin e Ballit Kombëtar.

Ky i fundit ka publikuar në rrjetin social Facebook foto me Llallën, teksa shfaqen edhe duke bërë shqiponjën me duar. 

“Një takim pas disa vitesh me ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë mikun e familjes tonë Adriatik Llalla”, shkruan Adriatik Alimadhi.

Sipas njoftimeve, ish-kryeprokurori ka fituar azil politik në Itali, sic ka pretenduar edhe avokati i tij mbrojtës Sokol Hazizaj, në shkurt 2023.

Per këtë çështje SPAK ka deklaruar në mars 2023 se procesi i ekstradimit është ende në vazhdim në Itali dhe se nuk ka një refuzim të kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij.

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u dënua me dy vjet burg për fshehje pasurie në shtator të vitit 2021, por vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë pasi Llalla u largua nga vendi drejt Italisë. Llalla u shpall fajtor nga GJKKO për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode.

Llalla akuzohej se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7 mijë dollarësh për lindjen e djalit, shpenzimet që lidhen me ndërtimin e katit të tretë të një banese si dhe të ardhurat për shkollimin e vajzës në Gjermani. Në përfundim të gjykimit në shkallët e tjera është vendosur konfiskimi i pasurisë së tij, një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë ne periferi të Tiranës. 

Llalla u arrestua në dhjetor të vitit 2021 në Romë, por më pas për shkak të gjendjes së tij shëndetësore u lirua me kushtin që do të mbahej në survejim nga autoritetet italiane.

ME TE LEXUARAT