Rihetimi i “Gërdecit”, prindërit e 7-vjeçarit që vdiq nga shpërthimi: Drejtësia, motivi i jetës

Aktualitet

Rihetimi i “Gërdecit”, prindërit e 7-vjeçarit

Familjarët e Edison Durdës, 7-vjeçarit që mbeti i vdekur nga shpërthimi i municioneve në Gërdec, në një lidhje me skype në emisionin “Open” nuk janë shprehur shumë optimistë pasi SPAK rihapi çështjen e tragjedisë së ndodhur para 13 vitesh.

Zamira Durda, e cila gjithë këto vite nuk ka reshtur për të vënë drejtësi për humbjen e jetës së djalit të saj të vogël shprehet se ka frikë mos politika do të ndikojë sërish e nuk do të vendoset dot drejtësia për 26 jetët e humbura në një prej tragjedive më të mëdha në vend.

“Nuk kemi një shpresë të madhe, nuk kemi entuziazëm të madh. Kemi frikë se do të shkërmoqet gjatë rrugës, do të ndikojë politika”, tha Zamira Durda.

“Sot ndjeva sikur më rilindi djali se kisha vite që prisja, por prapë jam pesimist, nuk e di se si do vejë”, tha bashkëshorti i saj.

“Kërkesa ka dy muaj e gjysmë që është dorëzuar. Për ish ministrin nuk është një rigjykim sepse për të nuk ka pasur një gjykim ndonjëherë sepse ishte pezulluar për shkak të imunitetit. Në apel u pranua gjykim i shkurtuar pas 5 vitesh. Rekursi i saj është mbyllur në dhomë këshillimi me një vendim prej 100 faqesh. 

Nga ky gjykim presim që të rihapet dosja ‘Gërdeci’ e gjitha në tërësi jo vetëm për ministrin, të shikohet edhe si vepër korruptive dhe ne si familjarë të jemi pjesë e procesit penal. Politika ka pasur mburojë, kanë mbrojtur veten. Kemi qenë të gjykuar nga një bandë kriminale. Të gjithë janë shkarkuar nga Vettingu vetëm dy kanë ngelur. 

Të tjerët e kanë pritur me entuziazëm, pavarësisht se ne kemi qenë këmbëngulës, të gjithë jemi të bashkuar.

Shpresa vdes e fundit, motiv i jetës sonë kjo është të vendosim drejtësi për Gërdecin. Jemi në pritje, thjesht një kërkesë që SPAK i ka bërë Gjykatës së Lartë s’ka lidhje me ne. Shpresat i kemi por nuk e di, ky është ai pesimizmi, se filloi pas 5 vitesh, u zvarrit dhe u dha vendimi në një dhomë këshillimi që ne nuk u lejuam të hynim. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa e drejta që është e shkruar, e provuar, vetëm vullnet pozitiv duam nga këta gjyqtarë”, tha ajo.

“Kjo është një kërkesë që e bëmë ne, se pa dalë aferat korruptive është e vështirë të bëhet drejtësi në Shqipëri pa u zbardhur Gërdeci, ka të bëjë me drejtësinë”, tha ai.

Kujtojmë se më 15 mars të 2008-ës, një shpërthim i fuqishëm në fabrikën e demontimit të armëve mori jetën e 26 personave në mesin e tyre kishte burra, gra dhe fëmijë.

ME TE LEXUARAT