Riatdhesohen nga kampet e Sirisë 5 shqiptarë, Lamallari: Vijojmë punën për kthimin e të gjithë shtetasve tanë

Aktualitet

Riatdhesohen nga kampet e Sirisë 5 shqiptarë, Lamallari: Vijojmë
Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre tre të mitur dhe një e moshuar 79-vjeçare, u kthyen në atdhe nga Siria në orën 01:20, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në zonat e konfliktit dhe kampet në Siri.

Në aeroportin e Rinasit, për të ndjekur nga afër procesin e kthimit dhe pritjen e shtetasve, ishin Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe të strukturave të tjera shtetërore të përfshira në këtë proces.

“Mirë se u kthyet në shtëpi!”, shkroi ministri Lamallari, në një postim në rrjetet sociale, duke shpërndarë dhe pamjet e operacionit.

 
Mes të riatdhesuarve është shtetasja H.T., 79 vjeçe, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë pas humbjes së djalit të saj, i cili ishte larguar drejt këtij vendi për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS-it. Ajo kishte shkuar me qëllim marrjen dhe kujdesin për nipërit e saj.

Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, H.T. kishte qëndruar në kampin Al-Hol, në kushte veçanërisht të vështira jetese, duke vijuar të kujdesej për fëmijë të mitur, përfshirë edhe dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj.

Ministri Lamallari përgëzoi përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me Urdhër të Kryeministrit, për përmbushjen e masave dhe koordinimin e nevojshëm për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e konfliktit.

Procesi i riatdhesimit vijon përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, me angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit.

Lamallari konfirmoi se institucionet shqiptare do të vijojnë punën për kthimin e të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në Siri, duke garantuar respektimin e procedurave ligjore dhe të sigurisë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e përshtatshëm të të miturve.

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion