Riaktivizohet vatra e zjarrit në Drenovë të Mallakastrës, në rrezik edhe zona përreth! Ndërhyn helikopteri

Aktualitet

Riaktivizohet vatra e zjarrit në Drenovë të Mallakastrës,

Vijon zjarri në fshatin Drenovë të Mallakastrës e lokalizuar mbrëmjen e së dielës. Si pasojë janë djegur rreth 2.5 ha dhe rreth 250 rrënjë ullinj. Sot është riaktivizuar një vatër, ku për shkak të terrenit të vështirë, u operua fillimisht me pompa shpine dhe mjete rrethanore forcat zjarrfikëse dhe strukturat bashkiake.

Flakët përparuan me shpejtësi edhe në drejtim të pyllit me pisha, çka bëri të domosdoshme ndërhyrjen nga ajri. Është riaktivizuar po ashtu vatra te “Mali i Peladhisë” në Bulqizë, por nuk ka rrezik për banesat. Sipas Emergjencave Civile në vend janë 5 vatra aktive, në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Rrogozhinë, Kavajë, Vlorë, Himarë, Selenicë, Librazhd, Malësi e Madhe, Mallakastër dhe Mirditë.

Më serioze situata është me zjarrin në sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh te Liqeni i Luleve në parkun e Lurës.

Për shkak të temperaturave të larta dhe erës, rrezikohet përhapja edhe në zona të tjera pyjore. Edhe në fshatin Sinë e Sipërme, në bashkinë Dibër, forcat zjarrfikëse dhe strukturat vendore po përballen me një terren të vështirë për të shuar një vatër që ka djegur rreth 4 hektarë pyll me dushk.

ME TE LEXUARAT