“Rama ka një hall, burgun”, Havari: Ka urrejtje ndaj protestuesve! Shteti është lëshuar rrugëve

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Mithat Havari, i ftuar në një studio televizive, ka bërë një analizë të situatës politike dhe sociale në vend, duke u ndalur gjerësisht te protestat masive që po zhvillohen prej më shumë se një muaji në kryeqytet kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, si dhe te sjellja e forcave të rendit ndaj protestuesve.
“Ne jemi një shtet i lëshuar rrugëve,” deklaroi Havari që në fillim të fjalës së tij, duke renditur një sërë dështimesh të bujshme në infrastrukturë dhe afera korruptive që sipas tij kanë përfshirë vendin. “Shumë rrugë kanë dështuar, janë rrëzuar Qafë Plloca, tuneli i Llogarasë, fondet, incenetratorët, një korrupsion i jashtëzakonshëm. 70% e strukturave shtetërore janë të korruptuara. Është një situatë shumë e rëndë,” u shpreh ish-drejtuesi i policisë.
Ai u ndal edhe te deklaratat e vetë kryeministrit për largimet nga administrata, duke shtuar se “Rama ka deklaruar vetë, ka larguar nga puna 600 tatimorë dhe doganorë për korrupsion. E sigurt që janë zëvendësuar me 600 të tjerë.” Sipas Havarit, pas kësaj situate fshihet një tjetër motiv: “Rama ka një hall të madh, burgun. Prandaj nuk e sheh këtë situatë.”
Më tej, ish-zyrtari i lartë i policisë kritikoi ashpër reagimet joproporcionale të forcave të rendit ndaj qytetarëve, duke theksuar se nuk mund të reagohet me brutalitet për incidente të vogla. “Policia duhet të ketë kujdes. Nuk mund të dhunosh tjetrin se hedh një kokërr vezë. Ligji nuk përcakton gjë për vezët, thotë për sende të forta,” u shpreh Havari, duke sjellë edhe një shembull nga arena ndërkombëtare: “Nuk po pedagogoj të godasin, por kemi parë presidentin Bush në SHBA. Është goditur me këpucë dhe ai e kaloi me sportivitet.”
Sipas tij, sot vendi përballet me një deformim të rolit të uniformave blu. “Tani, dy gjëra ka policia. Policia e shtetit dhe e pushtetit. Në këtë rast është e pushtetit, pa diskutim. Urrejtja e Ramës është e madhe shumë. Të ndodhë diçka në botë, fillojnë ekzekutimet në bulevard të Tiranës. Historia nuk është e largët,” paralajmëroi Havari. Ai u ndal veçanërisht te rasti i fundit i shoqërimit të një inxhinieri, duke u shprehur: “Unë i pashë ngjarjet dhe më ka bërë përshtypje inxhinieri Arbër Lleshi që kanë dhunuar. Ishte një dhunë e ashpër, e rëndë, të shtrish përtokë një intelektual. Nuk të vjen e keqja nga ai, nuk është gangster rrugësh si ata gangsterët që dhunuan Gent Prognin.”
Në mbyllje të fjalës së tij, Mithat Havari ngriti alarmin për praninë e agjentëve civilë në radhët e protestuesve, duke e cilësuar këtë si një shkelje të hapur të rregullave.
“Policë civilë në protesta nuk lejohen! Është policia me uniformë. Civilet janë agjentët e policisë kriminale që kanë këta. Këta janë gangsterë. Nuk mund të jetë polic krimesh. Janë të paligjshëm që futen aty,” përfundoi ish-drejtuesi i lartë i policisë.


