“Rama është padrinoja që mbron bandën e tij” / Lubonja: Po përdor dinakërinë për të mashtruar ndërkombëtarët

Analisti Fatos Lubonja deklaroi se protesta qytetare nxorri në pah një pakënaqësi të madhe popullore kundër qeverisjes së Edi Ramës.
Në një intervistë për News24, ai tha se protesta tregoi se Shqipëria nuk ndodhet në një demokraci por regjim. Duke komentuar reagimet e kryeministrit dhe faktin që akoma nuk e ka dhënë dorëheqjen, analisti u shpreh se ai është përgjegjësi kryesor i situatës në vend, ndërsa iu referua edhe si “padrinoja”.
Lubonja tha se Rama po bën gjithçka për të mbrojtur veten dhe bandën që ka krijuar, ndërsa shtoi se mund të tentojë që të mashtrojë edhe ndërkombëtarët me dinakërinë e tij dhe të përçajë protestën.
“Një gjë është e qartë që ai është përgjegjësi kryesor i kësaj pune. Ai është padrinoja, dhe çdo gjë që bën ai e bën për të mbrojtur veten dhe gjithë bandën që ka krijuar se po i ra pushteti, bie gjithçka. Në këto aspekte, brenda kontekstit ndërkombëtar, ka qëndruar në të tijën.
Para një jave pashë një lajm që fliste që në Tiranë taksat e ndërtimit tregojnë se sa po betonizohet Tirana dhe janë bledhur 5 herë më shumë se viti i kaluar. Që dmth se ata që investojnë, ata që pastrojnë paratë i kanë bërë pazaret.
Është i detyruar të mbrojë këtë sistem, ai do të përdorë gjithë dinakërinë për të mashtruar ndërkombëtarët, përçarë protestën, blerë njerëz dhe për të vazhduar të sundojë”, tha Lubonja.


