Ra në kontakt me telat e tensionit të lartë teksa rregullonte depozitën e ujit, humb jetën 27-vjeçari

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e sotme në Kamëz, ku një 27-vjeçar, Roland Toshi, ka humbur jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur në banesën e xhaxhait të tij, teksa 27-vjeçari ishte duke rregulluar depozitën e ujit mbi banesë, kur ka rënë në kontakt me telat e linjës elektrike të tensionit të lartë, të cilat ndodheshin sipër banesës.
I riu është transportuar me urgjencë në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore, por nuk ka arritur të mbijetojë.
Kamëz/Informacion paraprak
Rreth orës 20:00, është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës shtetasi R. T., rreth 27 vjeç, i cili dyshohet se, teksa ndodhej në banesën e xhaxhait të tij, në rrugën “Adriatik”, lagjja nr. 5, Kamëz, duke rregulluar depozitën e ujit mbi banesë, ka rënë në kontakt me telat e linjës elektrike të tensionit të lartë, të cilat ndodheshin sipër banesës.
Si pasojë e dëmtimeve të marra, 27-vjeçari ka humbur jetën në spital.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.


