Qeveria mbron bordin e naftës, PD: Taksat mbi karburantët po rëndojnë qytetarët

Aktualitet

Qeveria mbron bordin e naftës, PD: Taksat mbi karburantët po

Parlamenti debatoi sot për rritjen e çmimit të naftës pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme. Qeveria argumentoi se bordi për transparencën dhe mekanizmi i uljes së akcizës, pasi çmimi kalon 220 lekë për litër, është i mjaftueshëm për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në këtë kohë krize.

“Ulja e nivelit të akcizës, gjithashtu, ndikon edhe në uljen e TVSH-së së llogaritur në momentin e importimit, – 1.58 lekë/litër. Pra, në total ulja e akcizës dhe nga TVSH në import ulja e taksave llogaritet në 9.45 lekë për litër. Pra, një ndikim i drejtpërdrejt në zbutjen e rritjes së çmimeve për konsumatorin final”, Petrit Malaj, ministër i Financave.

Por opozita deklaroi se kjo masë është e pamjaftueshme dhe i ka lënë qytetarët pa mbështetje përballë rritjes së çmimeve.

Nuk ka akt më absurd se kjo që propozoni sot në Kuvend, akt cinik ndaj shqiptarëve që jetojnë me djersën e ballit. Vini këtu pasi keni hequr subvencionet e naftës për fermerët në kulmin e krizës së naftës. Vini këtu, sillni këtë akt të turpshëm, ulim akcizën kur të kalojë mbi 220 lekë/litri. Kjo është politikë shpopullimi, politikë antishqiptare. Si e shpejtoni ju këtë? Kryehajduti i Shqipërisë me taksën më të lartë mbi litrin e naftës i detyron shqiptarët. Në Gjermani dje nafta në pompë pardje ishte 2 euro, në Shqipëri 2.2 euro”, Berisha.

Kryetari i demokratëve, Sali Berisha, replikoi me socialistin Erion Braçe për modelin e taksave që rëndojnë mbi karburantin dhe heqjen e mbështetjes për fermerët.

“Nuk ka diskutim se nëse vendos taksën më të lartë në botë, je mëkatari më i madh në botë. Dhe unë prisja që po të mos ishe hipokrit siç je, të kishe nisur grevën e urisë këtu për fermerët. Po të hoqi Lubia nga andej.”

“Po të flasim për modelin e taksave ky është modeli që kemi zgjedhur. A janë këto taksat më të larta në botë, jo. Të cohen këtu njerëz që për 14 vjet kurrë nuk i dhanë një litër naftë bujqve pa akcizë është e tepërt. A jam unë dakord me këtë që u bë tani, jo nuk jam”, Erion Braçe.

Partia Demokratike ka mbrojtur në Kuvend propozimet e saj për të ulur taksën e qarkullimit nga 27 lekë për litër që është aktualisht në 7 lekë për litër dhe heqjen e akcizës për gazin, si rrugë për të mbrojtur qytetarët përballë rritjes së çmimeve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion