Qendra amerikane del me hartë dhe kohë të re për rënien e raketës, përfshihet edhe Kosova

Bota

Qendra amerikane del me hartë dhe kohë të re për rënien

Sipas një qendre amerikane për kërkim dhe zhvillim hapësinor, mbetjet e raketës kineze që ka dalë nga kontrolli pritet të bien në sipërfaqen e Tokës në orët e fundit të së shtunës ose në orët e para të së dielës. Kjo qendër ka publikuar edhe një hartë me zonën e rënies së mundshme të raketës, në të cilën përfshihet edhe Ballkani.

“Aerospace Corporation” tha se parashikimi më i ri nga Qendra e saj për Studime të Rihyrjes dhe Mbetjeve në Orbitë është që hyrja e raketës “Long March 5B” të ndodhë tetë orë më herët ose tetë orë më vonë se ora 4 e 19 minuta në mëngjesin e së dielës sipas kohës GMT (6 e 19 minuta sipas kohës së Kosovës).

Sipas kësaj organizate, parashikimi më i ri i bazuar në informata është se vendi i mundshëm për rihyrjen e raketës në orbitën e Tokës është afër pjesës veriore të Zelandës së Re, por shtoi se rihyrja është e mundshme kudo në zonën e paraqitur në hartë, shkruan Reuters.

Në hartën me rënie të mundshme të raketës përfshihen pjesa më e madhe e Evropës, përfshirë Kosovën e Shqipërinë, territori i plotë i Azisë, pjesa lindore e Afrikës, Oqeani Indian, rreth gjysma e Oqeanit Paqësor, Australia me Oqeani dhe pjesa veriperëndimore e Amerikës Veriore, përfshirë Alaskën e ShBA-së dhe një pjesë të territorit të Kanadasë.

Raketa “Long March 5B” u lëshua në qiell nga ishulli kinez, Hainan, më 29 prill. Ajo e dërgoi në hapësirë modulin Tianhe, që do të shërbejë për ekuipazhin e një stacioni të përhershëm hapësinor kinez.

Në maj të vitit 2020, disa pjesë të lëshimit të parë të kësaj rakete kishin rënë mbi territorin e Bregut të Fildishtë, duke dëmtuar ndërtesa, ndonëse nuk ishte raportuar për persona të lënduar.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion