Qëlloi me armë zjarri në gjendje të dehur, autori arrestohet pas 12 orësh kërkime

Është arrestuar 44-vjeçari i cili mbrëmjen e djeshme në gjendje të dehur qëlloi më armë zjarri. Pas ngjarjes, autori i të shtënave me armë zjarri në fshatin Brataj të Selenicës u largua nga vendngjarja, ndërsa u kap pas 12 orësh ndjekjeje.
Policia bën me dije se në momentin e kapjes, autorit iu sekuestruan dhe arma e zjarrit tip kallashnikov, me fishek në fole gati për qitje, me të cilën ky shtetas kishte qëlluar në ajër mbrëmjen e djeshme.
Njoftimi i policisë:
Në gjendje të dehur, qëlloi me armë zjarri në ajër dhe më pas u largua në kodrat e fshatit Brataj për t’i shpëtuar Policisë, pas më shumë se 12 orë ndjekjeje dhe kërkimesh, shërbimet e Policisë lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga autorin e dyshuar.
Në momentin e arrestimit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, me fishek në fole gati për qitje, me të cilën ky shtetas qëlloi në ajër mbrëmjen e djeshme në fshatin Brataj.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Selenicë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe Forcën Operacionale në DVP Vlorë, pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, kanë zhvilluar kërkime të pandërprera gjatë gjithë natës, në kushtet e një terreni të vështirë malor dhe të pyllëzuar.
Si rezultat, sot në mesditë, në kodrat e fshatit Brataj, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit A. F., 44 vjeç, banues në fshatin Brataj.
Në momentin e kapjes, shërbimet e Policisë sekuestruan dhe armën e zjarrit tip kallashnikov, me fishek në fole gati për qitje, me të cilën ky shtetas kishte qëlluar në ajër mbrëmjen e djeshme.
44-vjeçari, mbrëmjen e djeshme, në gjendje të dehur dhe pas një konflikti të çastit, si dhe me pretendimin se disa të mitur po e bezdisnin, ka shkuar në banesë, ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në ajër, duke krijuar panik te banorët dhe te të miturit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.


