Qëllimi kryesor i Suel Çelës “zhdukja” e rivalëve! Zbardhen rolet e njerëzve të drejtësisë që ndihmonin të “fortin” e Elbasanit (E PLOTË)

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me megaoperacionin e një dite më parë në Elbasan, ku u lëshuan 19 urdhër-arreste (18 masa sigurie arrest me burg; një arreshte shtëpie) si dhe dy masa sigurie “detyrim paraqitje” për dy gazetarët, Elton Qynon dhe Artan Hoxhën.
Mes personave për të cilët ishte lëshuar masa arrest me burg ishin ish-shefi i Policisë Dedan Gjonaj (aktualisht në burg, i arrestuar për dosjen Metamorfoza), ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu (aktualisht arrest-shtëpie) si dhe për avokaten Blerina Beqiri.
Sipas njoftimit të SPAK mësohet se kjo organizatë kriminale me në krye Suel Çelën në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizzma të ndryshmë si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale.
Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se kjo organizatë kishte si qëllim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve rivalëve të tyre të cilët vepronin në qytetin e Elbasanin dhe konsideroheshin si kundërshtarë të Çelës.
I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.
Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit, ish-shefin e Policisë, Dedan Gonin dhe ish-gjyqtaren Pajtime Fetahun, të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale.
Gjithashtu rezulton se kjo organizatë kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e “kokës” së bandës, Suel Çelës dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre.
Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.
Marjus Lulaj alias Suel Çela, ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.
Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.


