Pushimet tragjike! Vdiqën pasi u helmuan me këpurdha, përcillen sot në banesën e fundit tre kosovarët

Një ditë më parë u bë me dije lajmi për vdekjen e një familje kosovare, pas pushimeve në Gjirin e Lalëzit në Shqipëri. Informacionet e para treguan se familja me tre pjestarë u helmuan pasi kishin ngrënë këpurdha që kishin mbledhur vetë.
Viktimat, mësohet se pas 6 orësh që dergjeshin në shtrat vendosën që të shkojnë në spital, të cilët me urgjencë janë dërguar në Durrës e më pas në Tiranë. Ata kanë humbur jetë të premten. Më herët ditën e sotme, policia bëri me dije se janë proceduar penalisht mjeku Shyqyr Beqaj 54 vjeç dhe kolegu tij, për “Mjekim të pakujdesshëm”.
Ndërkohë mediat kosovare kanë shkruar se tre viktimat, gjyshja Elfete 78 vjeçe, djali i saj Afrimi 56 vjeç dhe gruaja e tij, Ferzinaze, 57 vjeçe, do të përcillen sot për në banesën e fundit.
“Miq e dashamirë, këto 3 ditë përjetuam ditët më të këqija të jetës, betejën e humbën që të tre. Ju njoftojmë se nesër, me datë 09.05, bëhet varrimi me ikindi në varrezat e qytetit. Të lutemi për shpirtin e tyre në këto netë të mëdha“, ka shkruar në Facebook djali i viktimës, citojnë mediat kosovare.


