Policia nuk do të përgjojë qytatarët pa lejen e Prokurorisë, reagon Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Pasi Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën për shfuqizimin e disa neneve të ligjit “ Për Policinë e Shtetit”, të Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, lidhur me këtë ka reaguar edhe ky i fundit.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit e ka konsideruar këtë një rast suksesi, që Kushtetuesja e pranoi kërkesën, e cila tashmë nuk do të lejojë përgjimin dhe gjurmimin e qytetarëve për tre muaj, pa vendimin e prokurorisë, një propozim ky që erdhi nga Këshilli I MInistrave.
Reagimi i plotë:
Rast Suksesi
Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit për shfuqzimin si antikushtetues të masave të veçanta të mbikqyrjes dhe gjurmimit ndaj qytetarëve nga Policia e Shtetit
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
– Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetuese të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutës, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik.
Për këto arsye Gjykata Kushtetuese, me anë të njoftimit të dt. 5 Korrik 2021, shpalli dispozitivin e vendimit duke deklaruar se ka pranuar kërkesat dhe shfuqizon nenin 6, pika 29/1 dhe nenin 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar si dhe është vendosur pro pezullimit të zbatimit të nenit 131 të ketij ligji, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.