Policia bashkiake dhunoi të moshuarën në Tiranë, reagon Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Disa pamje të pakëndshme qarkulluan në rrjet përgjatë ditës së sotme, ku policët bashkiakë të Tiranës dukeshin duke keqtrajtuar shitësit ambulantë, kryesisht të moshuar. Për të mos u mjaftuar me dhunën, uniformat blu bashkiake hodhën në rrugë të gjithë mallin që një e moshuar kishte dalë ta shiste në mes të vapës.
Ndërkohë në lidhje me rastin ka reaguar dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të cilën e cilëson joetike.
Deklaratë për shtyp!
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi u njoh përmes mediave për dy incidente të një pasnjëshme, në të cilën përfshihen efektivë të policisë bashkiake Tiranë. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoi përmes pamjeve filmike sjellje jo proporcionale të efektivëve të policisë bashkiake Tiranë, ushtrim të forcës fizike ndaj një të moshuari dhe cënim të dinjitetit të një të moshuare shitëse ambulante.
Detyra e policisë Bashkiake për të zbatuar ligjin nr.8224, datë 15.05.1997 “Për organizimin dhe funksionimin e policisë së bashkisë dhe komunës”, duhet bërë duke garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, proporcionalitetin dhe sidomos respektimin e Dinjitetit të Njeriut. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nxit policinë e Bashkisë së Tiranës të vetpërmbahet në sjelljet publike e të komunikojë dhe të sillet me etikë kundrejt çdo qytetari, pavarësisht shkeljeve administrative që konstatohen. Respektimi i dinjitetit njerëzor duhet të udhëheqë gjithmonë veprimet e organeve publike.


