Po shkatërrohet pllaka “Dardanus”? Arkeologët shqiptarë përplasen me ata maqedonas

Një gurë varri në të cilën shkruante emri “Dardanus”, njëri prej fëmijëve të Epikratit, po trazon ndjenjat e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Ata frikësohen se gjeneza e tyre antike po shkatërrohet dhe shtrembërohet qëllimisht, dhe se nuk do të arrijnë të ruajnë gjurmët e të parëve të tyre për shkak të interpretimeve të gabuara historike dhe dëshmive të pakta materiale që klasifikohen si ilire nga autoritetet maqedonase.
“Bëhet fjalë për varreza romake që kanë ekzistuar në interval prej shekujve I deri në shekullin V të erës sonë. ..Ky është nekropol i qytetarëve të qytetit romak Skupi.
Ne ashtu i trajtojmë, sikurse edhe gjithë letërsia dhe dokumentacioni. Ndërsa atë se kush ka qenë i varrosur brenda varreve këtë nuk mund ta themi. Ne i trajtojmë si qytetarë romak”, thotw Vera Atanasovska, arkeologe.
Dyshimet për mbulim apo shtrembërim të fakteve historike rreth ilirëve në trevat e Maqedonisë së sotme i sollën në Shkup edhe arkeologët shqiptarë nga Kosova. Euronews Albania sjell pamje ekskluzive gjatë inspektimit që ata bënë në lokalitetin ku u gjet pllaka dardane.
Arben Hajdari, njëri prej arkeologëve kosovarë, tha se gjurmët ilire në Shkup janë të pamohueshme.
“Është fakt i njohur, nuk është e nevojshme ta themi sepse dihet se këtu kanë jetuar Dardanë…
Është e njëjta situatë në të gjitha provincat lindore dhe perëndimore, sikundër që janë dëshmitë dhe mbetjet edhe të popullatës vendase, në këtë rast Dardanëve, por në provinca të tjera kemi popullatë tjetër sepse kanë bashkëjetuar”, shprehet Arben Hajdari, arkeolog.
Por, dyshimet për shkatërrim të provave ilire datojnë prej një kohe të gjatë dhe në lokalitete të ndryshme.



