"Po blinin 1 kg kokainë", Policia jep detaje për operacionin ku u arrestua efektivi i RENEA-s

Aktualitet

"Po blinin 1 kg kokainë", Policia jep detaje për operacionin

Policia e Shtetit ka dhënë detaje nga operacioni ku mbetën të arrestuar efektivi i RENEA-s, Xhulio Liçi dhe dy bashkëpunëtorët e tij. Policia sqaron se tre të arrestuarit po blinin 1-2 kg kokainë, të cilën më pas kishin ndërmend t'a shisnin në zona të ndryshme të Tiranës. 

Njoftimi i policisë

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme  kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikeve Specialistët e Seksionit për Hetimin e narkotikëve në DVP Tiranë , bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “BARON”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

L.G, 43 vjeç, banues në Vorë, XH.L, 28 vjeç (punonjës policie)  banues në Fier dhe D.N, 62 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.

Mbi bazën e informacioneve të marra nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve  në DVP Tiranë se shtetasit D.M dhe L.G, në bashkëpunim me njëri-tjetrin  merreshin me veprimtari kriminale  në fushën e narkotikëve konkretisht duke blerë kokainë në sasi 1 deri në 2 kilogramë,  dhe më pas duke e shitur atë në zona të ndryshme të Tiranës ,si dhe në kufi me qarkun e Durrësit me qëllim shmangien e prezencës policore, kanë organizuar punën duke i mbajtur nën vëzhgim.

Në aksin rrugor  Tiranë -Durrës, rruga e vjetër në zonën e Ndroqit , shtetasi XH.L dhe D.N, janë kapur në flagrancë së bashku me shtetasin L.G, me një pako lëndë narkotike Kokainë.

Në cilësinë e provës materiale u sekeustrua lënda narkotike me peshë totale 1 kilogramë e 88 gramë, dy automjete, pesë aparate celular dhe një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i  kaluan Prokurorisë  së rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion