Pjesë e grupit që kultivoi 870 kg kanabis në Berat në 2022, ekstradohet nga Anglia në Shqipëri (EMRI)

Aktualitet

Pjesë e grupit që kultivoi 870 kg kanabis në Berat në 2022,

Është ekstraduar në Shqipëri Xhuljano Hoxha, 31-vjeçari i akuzuar si pjesë e grupit kriminal që kultivoi 870 kilogramë kanabis në Dronovicë të Beratit, i zbuluar në operacionin e nëntorit 2022.

Hoxha u arrestua në Britani në tetor të vitit të shkuar, ndërsa prillin e kaluar GJKKO i kishte caktuar edhe masën e arrestit me burg.

Gjatë operacionit, u ndaluan 105 persona, ku 95 ndër to ishin gra të cilat ishin punësuar për të pastruar lëndën narkotike. Sera ishte në pronësi të Hamdi Dylit, e cila ishte ndarë në 4 pjesë, secila me një sipërfaqe prej 2 dynym. 11 persona u vunë në pranga, ndërsa nën hetim u vunë edhe 57 efektivë të policisë së Beratit, mes tyre edhe drejtues të lartë. 7 punonjës u përjashtuan përjetësisht nga radhët e bluve.

Prokuroria e Beratit shpalli moskompetencë dhe ia kaloi dosjen SPAK-ut duke thënë se aktiviteti drejtohej nga 2 grupe kriminale.

Njoftimi i policisë:

Nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra/Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit Xh. H., 31 vjeç, lindur në Berat.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në prill të vitit 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”, për rastin e zbuluar dhe goditur më datë 10.11.2022, në fshatin Drenovicë, qarku Berat.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se Xh. H., në bashkëpunim me persona të tjerë, ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.

Si rezultat i bashkëpunimit midis Interpol Mançester/Mbretëri e Bashkuar dhe Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi dhe ekstradimi i tij në Shqipëri.

ME TE LEXUARAT