Pilula që do të kurojë koronavirusin, miliona dollarë për zhvillimin e saj

Koronavirusi Covid-19 pritet që tashmë të trajtohet më një pilulë, njëjtë si trajtohen sëmundja e HIV-it dhe hepatiti C.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shpenzuar më shumë se 18 miliardë dollarë vitin e kaluar, për të financuar kompanitë farmaceutike, që do të krijonin një vaksinë kundër koronavirusit.
Tani, kur vaksinimi në SHBA dhe në disa pjesë të tjera të zhvilluara të botës ka marrë hov, Qeveria amerikane do të investojë mbi tre miliardë dollarë në një fushë tjetër kërkimi: zhvillimin e një pilule që do të luftonte koronavirusin në fazat e hershme të infektimit dhe do të shpëtonte potencialisht shumë jetë në vitet që do të vijnë.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka njoftuar muajin e kaluar se do të ndajë 3.2 miliardë dollarë nga Plani Amerikan i Shpëtimit për, zhvillimin e pilulës antivirale për trajtimin e sëmundjes COVID-19.
Doktor Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të SHBA-së për Alergji dhe Sëmundje Infektive, ka thënë se mezi pret kohën kur pacientët me koronavirus do të gjejnë pilula në farmaci, sapo të diagnostikohen si pozitivë apo të ndjejnë simptomat e para.
Mbështetja e Faucit për pilulat antivirale buron nga përvoja e tij në luftën kundër virusit HIV, tri dekada më parë.
Në vitet 1990, Instituti i tij ka bërë disa kërkime, që kanë çuar në disa nga pilulat e para antivirale kundër HIV-it. Pilulat që njihen si “frenues të proteazës” bllokojnë një proteinë të virusit HIV dhe mund ta mbajnë atë joaktiv për gjithë jetën.
Në fillim të pandemisë COVID-19, pranverën e vitit të kaluar, shkencëtarët kanë nisur testimin e antiviraleve ekzistuese te pacientët me koronavirus, të shtruar në spital. Por, shumë prej këtyre testimeve nuk kanë treguar ndonjë përfitim nga antiviralët, përveç Remdesivirit.
Në tetor të vitit të kaluar, Remdesiviri është bërë medikamentu i parë – dhe deri më tani i vetmi – që ka marrë miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave në SHBA për trajtimin e sëmundjes COVID-19.
Por, në nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar kundër përdorimit të Remdesivirit, duke thënë se ai nuk ka “efekt domethënës te pacientët”.
Ekipi anti-COVID i administratës Biden, që ka marrë detyrën në janar, ka hartuar tashmë një program kushtuar pilulave antivirale. Shkencëtari kryesor i këtij ekipi, David Kessler, ka thënë se shpreson që një antiviral të jetë gati “deri në fund të vjeshtës”.
Në radarin e Qeverisë amerikane, përveç të tjerave, është edhe kompania farmaceutike Pfizer, e cila tashmë ka prodhuar një vaksinë të suksesshme kundër koronavirusit.
Pfizer, megjithatë, është duke i përqendruar përpjekjet në opsionin oral, sepse, “ofron disa përparësi” – para së gjithash, nuk detyron shkuarjen në spital apo praninë e një punonjësi shëndëtësor në kohën e trajtimit.
Koronavirusi, ndërkohë, ka krijuar disa variante, që kanë nxitur dyshime për efektshmërinë e vaksinave. Por, zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë siguruar se shumica e vaksinave që përdoren në Perëndim, mbeten efektive.