Pas Geraldo Bibës, arrest me burg për dy punonjës të tjerë të sigurisë private për dhunën në Zvërnec

Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për dy punonjësit e sigurisë private, Artur Grami dhe Gazmend Vathi, të arrestuar pas ngjarjeve të ndodhura gjatë protestës kundër projektit në zonën e Zvërnecit.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, ata dyshohet se kanë qenë të përfshirë në tërheqjen zvarrë të një qytetari gjatë përplasjes mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë më 30 maj.
Dy shtetasit u arrestuan tre ditë më parë në Tiranë, në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Vlorës. Ndalimi i tyre u krye nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me Policinë e Tiranës.
Më herët, Gjykata e Vlorës kishte caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, si persona të dyshuar për përfshirje në incidentin e ndodhur në Zvërnec. Pas arrestimit, masa e sigurisë iu komunikua menjëherë gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Vlorës.
Seanca u drejtua sërish nga gjyqtari Etien Isak, i cili la në fuqi masën e arrestit me burg për të dy të dyshuarit.
Më herët, në burg ishte lënë edhe Geraldo Biba, punonjës i kompanisë Major Security, i akuzuar për ushtrim dhune ndaj një prej protestuesve.


