Paralajmëron zyrtari i OKB: Lufta në Siri nuk ka përfunduar ende

Aktualitet

Paralajmëron zyrtari i OKB: Lufta në Siri nuk ka përfunduar ende

“Lufta nuk ka mbaruar ende” në Siri pavarësisht përmbysjes së Presidentit Bashar al-Assad, paralajmëroi sot i dërguari i OKB-së.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë Geir Pedersen viziton burgun famëkeq ushtarak Sednaya
Zyrtari i OKB-së iu referua tensioneve që po intensifikohen në pjesën veriore të vendit midis forcave pro-kurde dhe organizatave pro turke.

“Ka pasur përplasje të mëdha në dy javët e fundit, përpara një armëpushimi të negociuar,” i tha Geir Pedersen Këshillit të Sigurimit të OKB-së.


“Armëpushimi pesë-ditor ka përfunduar dhe unë jam thellësisht i shqetësuar nga raportet për përshkallëzim ushtarak”, tha i dërguari i OKB-së për Sirinë, duke shtuar se “një përshkallëzim i tillë mund të jetë katastrofik”.

Kreu i Forcave Demokratike Siriane, të dominuara nga forcat kurde siriane, njoftoi më 11 dhjetor se ishte arritur një marrëveshje armëpushimi me forcat pro turke në Manbij, që banohet kryesisht nga popullsi arabe dhe ku luftimet e ditëve të fundit kanë vrarë 218 persona.

Pedersen iu referua gjithashtu takimit që pati me liderët e rinj të Sirisë, të cilët rrëzuan regjimin e Bashar al-Assad më 8 dhjetor.

I dërguari i OKB-së theksoi gjithashtu se vizitoi “burgjet” dhe “dhomat e torturës dhe ekzekutimit” të burgut Sendaya, që ndodhet 30 kilometra në veri të Damaskut.


Zyrtari i OKB-së bëri thirrje që të hiqen sanksionet për të lejuar rindërtimin e vendit, i cili është shkatërruar nga më shumë se 13 vjet luftë civile. Hapat e prekshëm drejt një tranzicioni politik gjithëpërfshirës në Siri do të jenë çelësi për të siguruar që vendi të marrë mbështetjen financiare që i nevojitet, theksoi ai.

Sot, delegacione nga shumë vende u takuan në Damask me autoritetet e reja siriane, të dominuara nga islamistët radikalë, të cilët po përpiqen t’i sigurojnë ata për aftësinë e tyre për të sunduar Sirinë në paqe.

ME TE LEXUARAT