Pakistani bombardon Afganistanin, 28 persona humbin jetën/ Reagon qeveria talebane: Akt frikacak

Aktualitet

Pakistani bombardon Afganistanin, 28 persona humbin jetën/ Reagon qeveria

Të paktën 28 civilë humbën jetën dhe 49 të tjerë mbetën të plagosur pasi Pakistani kreu sulme ajrore dhe dërgoi trupa tokësore në disa provinca kufitare të Afganistanit të dielën, sipas Misionit të Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA).

Sipas UNAMA-s, mes viktimave ka gra dhe fëmijë. Qeveria talebane e Afganistanit deklaroi se sulmet goditën zona të banuara dhe banesa civile, duke i cilësuar ato si një “akt frikacak” dhe një “mizori”.

Nga ana tjetër, Pakistani tha se operacioni kishte në shënjestër strehët e militantëve në provincat Paktia, Paktika dhe Kunar, pranë kufirit mes dy vendeve.

Autoritetet talebane raportuan se pjesa më e madhe e viktimave u regjistrua në fshatin Mandokhail, në provincën Paktia. Një banor i zonës, 63-vjeçari Adam Khan, tha për agjencinë AFP se mes të vrarëve kishte fëmijë, gra dhe të moshuar që po flinin në momentin e sulmit.

Talebanët pretendojnë se numri i viktimave civile është edhe më i lartë, duke folur për 36 të vrarë dhe mbi 160 të plagosur. Ndërkohë, ministri pakistanez i Informacionit, Attaullah Tarar, deklaroi se gjatë operacionit u eliminuan 29 militantë, në përgjigje të sulmeve të fundit terroriste ndaj civilëve në Pakistan. BBC thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur shifrat e publikuara nga të dyja palët.

Përshkallëzimi i ri vjen vetëm një ditë pasi tre anëtarë të forcës paraushtarake pakistaneze Sindh Rangers u vranë në një sulm vetëvrasës në selinë e tyre në Karachi. Në atë sulm humbën jetën edhe tre militantë, ndërsa autoritetet pakistaneze njoftuan arrestimin e një personi të katërt, shtetas afgan. Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi Jamaat-ul-Ahrar, një fraksion i ndarë nga Tehrik-e-Taliban Pakistan (TTP).

Marrëdhëniet mes Pakistanit dhe Afganistanit vazhdojnë të mbeten të tensionuara. Islamabadi akuzon Kabulin se strehon grupe terroriste që kryejnë sulme ndërkufitare, akuza që talebanët i mohojnë. Nga ana e tyre, autoritetet afgane akuzojnë Pakistanin për sulme të pajustifikuara që shkaktojnë viktima civile.

Përplasjet në kufi janë shtuar muajt e fundit. Në shkurt, përleshjet mes dy vendeve lanë dhjetëra të vdekur, ndërsa në qershor Pakistani kreu një tjetër seri sulmesh ajrore ku, sipas Islamabadit, u vranë 26 militantë. Talebanët pretenduan se në ato sulme humbën jetën edhe 13 civilë, shumica fëmijë.

ME TE LEXUARAT