Çohet në Gjykatë dosja, kërkohet dëmshpërblimi më i lartë për të burgosurit! Jo më 3 mijë lekë për çdo ditë

Aktualitet

Çohet në Gjykatë dosja, kërkohet dëmshpërblimi

A dëmshpërblen shteti shqiptar sipas Kushtetutës çdo të burgosur që gjendet i pafajshëm nga drejtësia? Edhe gjyqtarët mendojnë se shuma prej 3 mijë lekësh për çdo ditë është e padrejtë dhe diskriminuese.

Kjo është padia e gjyqtarit Bevis Shehaj, i cili kërkon nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin si antikushtetues të ligjit “Për kompensimin e burgimit të padrejtë” për llogaritjen e ulët të dëmshpërblimit për paraburgimin, burgimin dhe arrestin shtëpiak, me shumat 3 mijë lekë, 2 mijë lekë dhe 1 mijë lekë.

Siç rezulton nga fashikulli që TCh e disponon, shkak është bërë padia e kompensimit të padrejtë e Erjon Demajt, që gjatë një procesi penal të tejzgjatur, gjatë të cilit u mbajt në paraburgim tre vjet më shumë sesa dënimi me 8 muaj burg dhënë nga gjykata. Gjyqtari Shehaj i thotë Kushtetueses se kompensimi është joproporcional në raport me dëmin ekonomik dhe psikologjik që iu shkaktua të burgosurit, nëse mbahet parasysh edhe paga minimale e caktuar zyrtarisht prej 40 mijë lekësh në muaj.

Kjo padi e Bevis Shehajt, gjyqtar administrativ, vjen pak kohë pasi komuniteti i avokatëve ngriti shqetësimin për ndryshimin e kompensimit për të burgosurit. Dhe jo vetëm kur ata janë shpallur të pafajshëm, por edhe për rastet kur janë mbajtur më tepër në burg sesa dënimi i fajësisë.

Gjyqtari administrativ i Lushnjës kërkon kontroll incidental të ligjit shqiptar duke iu referuar edhe Gjykatës së Strasburgut. Ndërsa argumenton edhe për rastet e qytetarëve që kanë pagesa mbi minimumin jetik dhe që, mbasi janë gjetur të pafajshëm, shuma e kompensuar është e papërfillshme në raport me pagën që kishin.

“Individët me paga më të larta se ato mesatare, p.sh. individët me paga 1 500 euro apo 2 000 euro në muaj, rrezikojnë jo vetëm të mos marrin dëmshpërblimin për dëmin jopasuror, por edhe dëmshpërblimi për dëmin pasuror të jetë sa gjysma e dëmit real të shkaktuar,” shprehet gjyqtari.

Procesi do të mbahet i pezulluar derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet me një vendim për vlerën e kompensimit të të burgosurve./tch

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion