“Nuk të marr seriozisht, më kujton Ceken e Beratit”/ Ardit Bido përplaset me Redi Muçin në Kuvend: Ti je një tradhtar

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, dhe ai i “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi, janë përfshirë në një debat të ashpër gjatë seancës së sotme plenare, duke shkëmbyer akuza dhe tone të larta zëri.
Pjesë nga debati:
Bido: Kështu jemi mësuar të punojmë, të nxjerrim lekët me djersën e ballit. Kështu jemi mësuar, jemi mësuar të punojmë. Një pjesë e këtij grupi janë mësuar të punojnë, ti s’ke punuar ndonjëherë dhe ndaj e besoj habinë tënde. Ti nuk je agjent, nuk e vendos dorën në zjarr, por s’e di. Para një jave kishte seancë këtu për Çamërinë, ti nuk erdhe, ke dalë dhe je viktimizuar se ke kombësi greke. Është zgjedhje e prindërve tuaj për të pasur kombësinë greke. Unë me minoritarët s’kam asnjë problem, sepse janë bashkëqytetarët tanë të shëndetshëm, janë pasuri, shqiptarë patriotë dhe grekë të pashuar. Ti nuk flet dot për Çamërinë, je një apatrid, një tradhtar.
Muçi: Me urdhër të Taulantit që më ka vënë në shënjestër. Bido më është çuar pas me bukë në trastë. Për çdo fjalë që them për Ramën, nxjerr këto hartat. ‘Pse qeshe kur u kollit shoku Enver?’ Këtë po përpiqet të bëjë Bido me ata sufllaqexhinjtë e tij. Bido, nëse ke gjë serioze, çoje në gjykatë ose dërgoji inspektorët tuaj. Nëse ke gjë seriozisht. Unë ty jo që s’të marr seriozisht, por më kujton komeditë e viteve ’90, më kujton Ceken e Beratit. Ndaj Bido, vazhdo me fushatën kundërzbulimit./