“Nuk është vapë e thjeshtë”, OBSH thirrje Europës: Trajtojeni si krizë shëndetësore

Aktualitet

“Nuk është vapë e thjeshtë”, OBSH thirrje

Vala e të nxehtit që ka shkaktuar 1300 viktima në mbarë Europën, ka vënë në pah nevojën urgjente që sistemet shëndetësore të jenë më të përgatitura për t’i bërë ballë temperaturave ekstreme.

Me termometrin që në disa zona të kontinentit të vjetër arriti të shënonte deri në 40 gradë Celsius, shërbimet e urgjencës u përballën me një fluks të madh telefonatash, spitalet trajtuan gjithnjë e më shumë raste të lidhura me të nxehtin, ndërsa të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike rezultojnë grupet më të rrezikuara.

Hans Kluge, drejtori rajonal për Europën i Organizatës Botërore të  Shëndetësisë, nënvizoi se kjo situatë nuk është e zakonshme. “Trajtojeni të nxehtin ekstrem si një krizë shëndetësore dhe veproni përpara se temperaturat të arrijnë kulmin”, shkroi ai në platformën X. “Gatishmëria ndaj valëve të të nxehtit duhet të jetë konkrete: lirimi i shtretërve në spitale, mbrojtja e pacientëve me rrezik të lartë, sigurimi i sistemeve të ftohjes, kontrolli i burimeve rezervë të energjisë dhe mbështetja e personelit shëndetësor”, shtoi zyrtari i lartë i OBSH-së. Temperaturat përvëluese kanë ushtruar tashmë presion të konsiderueshëm mbi sistemet shëndetësore në disa shtete europiane.

Në Francë, repartet e urgjencës kanë raportuar një rritje katërfish të rasteve të lidhura me vapën, përfshirë goditjen nga nxehtësia dhe dehidratimin.

Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, Shërbimi i Ambulancës së Londrës bëri të ditur se vala e të nxehtit kontribuoi në ditën më të ngarkuar në historinë e tij, duke iu përgjigjur gati 9.000 telefonatave emergjente brenda një dite të vetme.

ME TE LEXUARAT