"Nuk besoj se do ta dënojnë Mediun", nëna e 7-vjecarit flet pas rihapjes së dosjes "Gërdeci"

Zamira Durda e cila humbi djalin 7 vjeç nga tragjedia e Gërdecit shprehet skeptike pas kërkesës së SPAK drejtuar Gjykatës së Lartë për nisjen e procesit të gjykimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Në një prononcim për mediat, ajo flet për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme teksa thotë se kërkimi i drejtësisë për të birin është motivi i vetëm i jetës dhe arsyeja pse jeton.
“Shpresat i kam pasur tek drejtësia e re, por përsëri me gjithë këtë lajm dhe jam optimiste dhe nuk jam. Jam në mëdyshje. Ishalla nuk do zhgënjehem prapë në fund.
SPAK-ut i kemi kërkuar rihapjen e hetimeve. Iu jemi drejtuar të gjitha shkallëve. Unë kërkoj që e gjithë dosja e Gërdecit të rihapet, bashkë me 29 të tjerë, pasi siç e dini është pranuar gjykimi i shkurtuar pas 5 vitesh hetime. Dhe ne nuk kemi qenë pjesë e procesit.
Të gjithë ne jemi bashkë për vendosjen e drejtësisë. Asnjë nuk është veçuar. Veç ai që ishte baxhanaku i ish-kryeministrit.
Kam ndjekur të gjithë procesin nga afër nga 2009. E kam çuar dhe në Strasburg, s’e di. Përsëri nuk shpresoj aq shumë, jam skeptike”, deklaroi ajo.
Ka dhe një kujtim nga momentet e fundit të jetës së djalit të saj.
“Kërkimi i drejtësisë për tim bir është motivi i jetës sime, arsyeja përse jetoj. Në momentin që e kam gjetur në spital… Kur e gjeta në spital, aty e kishte dhënë vetë emrin… E gjeta dhe i thashë Edi biri im, kishte 60% të trupit të djegur, më tha më fal o ma që ika pa leje…
Se çfarë faji kishte bërë nuk e di dhe kjo nuk më lë të qetë asnjëherë.
Kur kalojnë fëmijë me biçikletë më duket sikur vjen, sikur është ai dhe dua të thërras. Unë do të jem në të gjitha seancat nëse SPAK do e hapë”.


