Nga Monako në Aruba, SPAK zbardh detaje: Artur Shehu mori pjesë në takime ku planifikohej trafiku i kokainës në Europë

SPAK ka kryer një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal, të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike, ku paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë pastruar nga disa biznesmenë, përfshirë Artur Shehun, i cili zotëron një pjesë të konsiderueshme të tokave në Zvërnec.
Prokuroria e Posaçme ka zbardhur detaje nga letërporosia e autoriteteve spanjolle, ku Artur Shehu përmendet si një nga personat e hetuar për përfshirje të dyshuar në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës.
Sipas dokumentit, Shehu dyshohet se ka marrë pjesë në takime të zhvilluara në disa vende të Europës dhe Amerikës, përfshirë Monakon dhe Arubën, ku janë diskutuar dhe planifikuar operacione për blerjen, transportimin dhe futjen e sasive të mëdha të kokainës në tregun europian.
Hetimet, të pasqyruara në letërporosinë spanjolle, e lidhin atë me një grup personash të tjerë të dyshuar, të cilët sipas autoriteteve kanë zhvilluar takime të shumta në vende të ndryshme gjatë viteve, me fokus organizimin e trafikut ndërkombëtar të drogës.
SPAK bën me dije se të dhënat janë pjesë e një procedimi penal në vijim dhe po analizohen në kuadër të hetimeve më të thelluara për aktivitetin e dyshuar kriminal.


