Nga jugu në veri, si paraqitet situata me zjarret dhe kush janë zonat më problematike! Deri tani 13 vatra aktive

Aktualitet

Nga jugu në veri, si paraqitet situata me zjarret dhe kush janë zonat

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend. Deri në orën 17:00 të 15 gushtit janë regjistruar 23 vatra, 13 prej të cilave vijojnë aktive.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, dy vatra të tjera janë nën monitorim, ndërsa në operacionet e ditës janë angazhuar 317 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse.

Në terren janë vendosur gjithashtu 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.

Vatrat kryesore aktive

Mali i Dajtit, Tiranë – Vijon operacioni në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Forcat operacionale mbështeten nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.

Gurë-Lurë, Dibër – Mbetet një nga vatrat me angazhimin më të madh. Janë hapur korridore me fadroma, duke ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave. Në terren janë 150 forca bashkiake, 20 policore, 11 ADZM, 15 MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Sipërfaqja e djegur përllogaritet rreth 200 ha pyll pishe dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë – Në operacion janë 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i fshatit Bulqizë dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës, pa rrezik për zonat e banuara.

Abaze, Krujë – Vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Vatra në Zidoll është në monitorim.

Lufaj, Mirditë – Vijon puna për shuarjen dhe hapjen e korridoreve ndarëse për të shmangur çdo rrezik për banesat.

Fushë-Lajë, Pukë – Vatra mbetet aktive në terren të thyer, i cili vështirëson ndërhyrjen; nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Gjirokastër – Aktive janë vatrat në Sotirë, Dropull, Bregu i Lejlekut, Libohovë dhe Krahës, Memaliaj. Strukturat e MZSH janë në terren dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Vlorë – Aktive janë vatrat në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik. Në Gjormë vatra është vënë nën kontroll, ndërsa në Aliban dhe Mesaplik vijon puna e MZSH për shuarjen. Nuk ka rrezik për banesat.

Dardhë, Librazhd – Vijon puna nga MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake; nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ministria thote se situata po menaxhohet me angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në pjesën më të madhe të vatrave aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë AKMC, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon ndjekjen dhe koordinimin e situatës në të gjithë territorin.

 

ME TE LEXUARAT