“Nga brenda banesës u qëllua me armë zjarri drejt RENEA”- Dy të rinjtë u ngujuan, detaje: Një prej tyre kërcënoi dhe…

Aktualitet

“Nga brenda banesës u qëllua me armë zjarri drejt

Policia ka dhënë detaje nga operacioni në fshatin Orosh të Pukës ku dy të rinjtë Erzen Uka dhe Julian Cumraku u ngujuan për gati 12 orë brenda banesës së gjyshit të këtij të fundit.

Blutë informojnë se dy të rinjtë u vetëdorëzuan për shkak të pamundësisë për t’u larguar dhe pas negociatave me të afërmit e tyre.


Gjatë12 orëve në rrethim, Erzen Uka dhe Julian Cumraku u mbyllën në banesë dhe reaguan me armë ndaj punonjësve të Policisë së Repartit Special Renea duke u rrezikuar jetën.

Blutë informojnë se rreth orës 09:00, konstatuan një person i cili, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi duke u futur brenda në një banesë të braktisur, pronë e shtetasit me iniciale P. C. (Gjyshi i Julian Cumrakut).

Ky person raportohet se nuk iu është bindur thirrjes për të dalë nga banesa duke kërcënuar efektivët, ndërsa në përforcim kanë shkuar Forcat Speciale Renea, ndaj të cilëve nga brenda banesës është qëlluar me armë zjarri.

“Më datë 24.11.2025, rreth orës 09:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, kanë konstatuar një person i cili, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi duke u futur në një banesë të braktisur, pronë e shtetasit P. C.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por personi nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka kërcënuar punonjësit e Policisë”, informuan blutë.

Dy të rinjtë në pamundësi për t’u larguar nga rrethimi dhe pas negociatave me të afërmit u dorëzuan.

Në momentin e vetëdorëzimit, 35-vjeçari kishte një dëmtim tejshpues në kofshën e djathtë, i cili menjëherë është transportuar me ambulancë për në Spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit të banesës janë sekuestruar, në cilësinë e provave materiale, 4 armë zjarri automatike dhe një armë zjarri pistoletë, një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të lartpërmendura, 17 copë granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse, dy gëzhoja.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Erzen Uka, 35 vjeç, lindur në Gjorm-Kurbin, i dënuar për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”.

Julian Cumraku, 34 vjeç, lindur në Pukë, i dënuar për veprat penale “Vjedhje” dhe “Kanosje”.

Njoftimi i policisë:

Pukë/Finalizohet operacioni policor i koduar “OROSHI”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pukë, strukturat e DVP Shkodër, Drejtoria e Antiterrorit me mbështetjen e Forcave Speciale Renea.

Kërcënuan me jetë punonjësit e Policisë së Komisariatit të Policisë Pukë, u mbyllën në banesë dhe reaguan me armë ndaj punonjësve të Policisë së Repartit Special Renea duke u rrezikuar jetën, pas 12 orësh në rrethim, pamundësisë për t’u larguar dhe pas negociatave me të afërmit e tyre, vetëdorëzohen dy shtetas që u mbyllën në banesë.

Sekuestrohen 5 armë zjarri, municion luftarak, granata dore difensive, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës.

Vihen në pranga të dy shtetasit që kundërshtuan Policinë me armë.

ME TE LEXUARAT