Motra e saj tha se u ndalua dhe u dhunua nga policia, vjen reagimi i uniformave blu: U kap me 14 mijë euro

Aktualitet

Motra e saj tha se u ndalua dhe u dhunua nga policia, vjen reagimi i uniformave

Në lidhje me një denoncim të bërë në rrjetin social JOQ nga një shtetase, e cila pretendon se ndaj motrës dhe kushërirës së saj është përdorur një fjalor fyes dhe se ato janë dhunuar nga punonjësit e Policisë në një pikë kontrolli, ka reaguar Policia e Korçës.

"Gjatë kontrollit të automjeteve, është ndaluar për kontroll një automjet tip “Mercedes-Benz”, me drejtuese shtetasen A. B., së cilës, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj dhe automjetit që drejtonte, i janë gjetur 14 000 euro. Kjo shtetase ka qenë person nën hetim për veprën penale “Mashtrimi”, - tha policia.

Reagimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë:

Më datë 03.09.2026, në dalje të qytetit të Korçës, ka qenë e ngritur një pikë kontrolli me 11 punonjës policie, në kuadër të planit të masave të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, “Për mbajtjen nën kontroll të territorit dhe situatës kriminale, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që mbajnë armë pa leje, si dhe autorëve të veprave penale”, në territorin e DVP Korçë.

Gjatë kontrollit të automjeteve, është ndaluar për kontroll një automjet tip “Mercedes-Benz”, me drejtuese shtetasen A. B., së cilës, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj saj dhe automjetit që drejtonte, i janë gjetur 14 000 euro. Kjo shtetase ka qenë person nën hetim për veprën penale “Mashtrimi”.

Sqarojmë se kontakti me drejtuesen e mjetit është bërë nga një punonjëse e Policisë dhe vlera monetare në automjet është gjetur prej saj. Të dyja këto shtetase janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, ku, pas komunikimit me prokurorin e çështjes, ndaj shtetases A. B. ka nisur procedimi penal dhe shuma e parave është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Punonjësi i Policisë që përmendet në denoncimin e shtetases në fjalë nuk ka qenë i pranishëm në pikën e kontrollit, por ka kryer vetëm veprimet procedurale në ambientet e Drejtorisë.

Theksojmë se sjellja dhe komunikimi i të gjithë punonjësve të Policisë të pranishëm në pikën e kontrollit kanë qenë konform etikës.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë mbetet e angazhuar në mbështetje të qytetarëve, duke garantuar komunikim me etikë, respekt dhe përgjegjshmëri ligjore në çdo rast.

ME TE LEXUARAT